Gruda: Vizita e Lajcakut në Kosovë, dialogun s’e presin ditë të mira

Profesori Përparim Gruda, tha se vizita e përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka karakterin e përgatitjes së fazës së tretë të dialogut dhe për shkakun se atë nuk e presin ditë të mira.
“Besoj se zoti Lajçak e ka bërë këtë vizitë për t’ia bërë të qartë ndoshta palës kosovare që duhet me ndërtua një qasje tjetër në dialog, sepse dialogu që është zhvilluar në muajt e parë të Qeverisë Kurti në fakt s’ka qenë dialog, ka qenë formalisht, por nuk ka pasur dialog”, tha Gruda në Click të RTV21.
Ndërkaq për takimet e Laçakut me partitë opozitare, Gruda theksoi se janë bërë për të provuar të gjendet diçka e përbashkët e në politikën kosovare karshi dialogut.
“Ajo që dallon këtë vizitë nga të tjerat është se zoti Lajçak, më duket për herë të parë tha se dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjelltë”, theksoi profesori.
Ndryshe, Lajçak ka kërkuar nga partitë opozitare mbështetje dhe të jenë konstruktive për dialogun.
Ndërmjetësi i dialogut ka thënë se arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse është e mirë për Kosovën.
“Kërkova mbështetjen e partive opozitare për dialogun pasi arritja e një marrëveshje përfundimtare është në të mirë të Kosovës. Partitë opozitare kanë përvojë në dialog dhe për mua ishte e rëndësishme të dëgjoj mendimet e tyre. PO ashtu besoj se do të jenë konstruktivë dhe i konsideroj këto takime si shumë të rëndësishme dhe jam i kënaqur me rezultatet”, ka thënë Lajçak sot para gazetarëve./21Media

Back to top button