​Grupi për Ballkan tregon se si mund të zhbllokohet perspektiva euro-atlantike

Grupi për Ballkan ka publikuar raportin, “Kosova: Zhbllokimi i perspektivës Euro-Atlantike Bashkimi Evropian, Dialogu për Normalizim të Marrëdhënieve me Serbinë dhe mundësitë për njohje nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së, e cila analizon pikëpamjet e shteteve të BE-së që nuk e njohin Kosovën dhe rolin e BE-së sipas planit franko-gjerman”.
Në raport mes tjerash thuhet se, pesë nga 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) nuk e njohin ende Kosovën. Duke mos e njohur atë si shtet, Qipro, Sllovakia, Rumania, Spanja dhe Greqia paraqesin një pengesë të madhe në aspiratat euro-atlantike të Kosovës, përfshirë anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO.
“Për të zhbllokuar perspektivën e vet euro-atlantike sipas Grupit për Ballkan, Kosovës i duhet të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë përmes një marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Grupi për Ballkan publikon raportin Kosova: Zhbllokimi i perspektivës Euro-Atlantike Bashkimi Evropian, Dialogu për Normalizim të Marrëdhënieve me Serbinë dhe mundësitë për njohje nga 5 shtetet mosnjohëse të BE-së, e cila analizon pikëpamjet e shteteve të BE-së që nuk e njohin Kosovën dhe rolin e BE-së sipas planit Franko-Gjerman”, thuhet në raport.
Më tej në raport thuhet se, ky ‘prag i lartë’ që mosnjohësit kanë vendosur shfaq implikime që mund të ndikojnë direkt në ritmin e dialogut. Përderisa këto kushte mund të nxisin zhbllokimin e situatës ekzistuese, ato rrezikojnë të gjenerojnë pengesa të tjera që do të vështirësonin arritjen e marrëveshjes dhe përfundimin e procesit. Duke e theksuar elementin ‘ligjërisht të obligueshme’, këto shtete i japin siguri Qeverisë së Kosovës që të përkushtohet për normalizim [që sillet] rreth njohjes së ndërsjellë. Mirëpo, meqë këto shtete e kanë lënë në dorë të Serbisë çelësin për hapjen e perspektives së Kosovës për njohje dhe anëtarësim në BE dhe NATO, Kosova rrezikon të vendoset në pozitë të pafavorshme ku i duhet të zgjedh që të bëjë kompromise të tjera ose të vazhdoj status-quo-në.
Me përfshirje aktive në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, BE-ja duhet ti jap shtysë të re procesit. Ajo duhet të përfshihet në sekuencimin e procesit, përfshirë nënshkrimin, implementimin dhe miratimin e marrëveshjes. BE-ja në fakt ka një rol kritik në këtë proces dhe produkti final do të varet nga aftësia e saj për të përmbushur këtë mision për arritjen e një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Dokumenti i paraqitur si ‘Rruga për Normalizim të Marrëdhënieve’, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë pranuar publikisht, mund të shndërrohet në marrëveshje ligjërisht të obligueshme me ratifikim në parlamentet e Kosovës dhe Serbisë, gjë që është shumë e rëndësishme për të bindur mosnjohësit.
Efekt ligjërisht të obligueshëm marrëveshja do të merrte edhe me implementim, i cili planifikohet të zgjasë deri në 6 muaj pas nënshkrimit, ose jo më shumë se deri në fund të vitit 2023. Derisa BE-ja do të vazhdojë të udhëheq bisedimet në mes të palëve, të kryesoj Këshillin e monitorimit dhe të ketë fjalën e fundit në vlerësimin e nivelit të implementimit, ajo duhet gjithashtu të shpall këtë marrëveshje si ligjërisht të obligueshme përmes konkluzioneve dhe deklaratave të lëshuara. Miratimi i marrëveshjes si ligjërisht e obligueshme [në mes të Kosovës dhe Serbisë] me konkluzione të Këshillit të BE-së është i rëndësishëm për Kosovën e Serbinë për të ecur përtej dialogut dhe drejt BE-së. Është po ashtu i nevojshëm për mosnjohësit që të rishikojnë qëndrimin e tyre për pavarësinë e Kosovës. Konkluzionet e reja te Këshillit do të mundësonin zëvendësimin e Konkluzioneve [për Kosovën] të shkurtit të vitit 2008.

Back to top button