Gucati nën mbikqyrje vjen në Kosovë

Ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare OVL-UÇK-së, Hysni Gucati nën përcjelljen e EULEX-it dhe Policisë së Kosovës sot ka ardhur në Kosovë.
Gucati e ka vizituar varrin e babait të tij, në varrezat e fshatit Marinë që gjenden afër kompleksit memorial të dëshmorëve.
Ardhjen e Gucatit në Kosovë për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar Gjykata Speciale në Hagë.
“Po, për arsye humanitare bindëse, Trupi Gjykues ka udhëzuar Zyrën Administrative që të menaxhojë një vizitë nën mbikqyrje në Kosovë për të takuar familjen e ngushtë. Z. Gucati mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara. EULEX dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, thuhet në përgjigjën e Gjykatës Speciale.
Më 28 maj ka vdekur babai i Hysni Gucatit, Avdullahu. Gucati nuk ka marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tij.
Dje më 29 maj djali i ish-kryetarit të OVL-së së UÇK-së, Musli Gucati ka publikuar letrën e plotë të babait, i cili ndër të tjera ka shkruar për dhimbjen që ka për vdekjen e babait.
Hysni Gucati u dënua me katër vjet e gjysmë burg nga Gjykata Speciale./21Media

Back to top button