Gurthemeli u vu në viti 2022, çerdhja nuk është askund

Që nga vënia e gurthemelit në vitin 2022 për çerdhen publike në Lagjen Kolovicë të Prishtinës, më nuk u vu asnjë tjegull për ndërtimin e saj.

Ministria e Arsimit dhe Komuna e Prishtinë fajin ia hedhin njëra-tjetrës.

Gurthemeli për çerdhen e re publike në lagjen Kolovicë të kryeqytetit u vu nga përfaqësuesit institucionalë në tetor të vitit 2022.

Por, punimet për ndërtimin e kësaj çerdheje as që kanë filluar.

Banorët ankohen se në mungesë të çerdhes së premtuar, detyrohet t’i dërgojnë fëmijët nëpër çerdhe të tjera.

“Mirë është me u ndërtu sa ma shpejt, po këta i dinë punët e veta…keq boll po çka me ba.. na afrohet edhe neve bile..”, tha një qytetare për RTV21.

“S’di çka me të thanë, edhe qaty poshtë është një çerdhe… po bon edhe ma ngat ma mirë…’’, tha një tjetër qytetar.

Për zvarritjen e ndërtimit të çerdhes në Kolovicë, Minisitria e Arsimit dhe Komuna e Prishtinës fajin ia hedhin njëra-tjetrës.

Përmes një përgjigje me shkrim për RTV21, Ministria e Arsimit, thotë se shkak është leja ndërtimore.

“Ndërtimi i Çerdhes në Prishtinë (tek shkolla e gjelbër), nga MASHTI është kontraktuar me datën 28.09.2022, pasi paraprakisht komuna e Prishtinës kishte ndarë lokacionin dhe kishte dhënë pëlqimin për ndërtimin e çerdhes në atë lokacion. Sipas informatave që i kemi, Operatorit Ekonomik nga komuna e Prishtinës nuk i është lejuar që të punojë me arsyetimin se nuk ka leje ndërtimore dhe i është kërkuar që të bëhen disa plotësime në projekt”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-it.

Komuna e Prishtinës, thotë se për lejen ndërtimore, projekti ka nevojë për plotësim dokumentacioni nga Ministria e Arsimit.

“Kjo çerdhe është investim i MASHT, e kontraktuar dhe e projektuar nga MASHT. Projekti nuk posedon leje ndërtimore sepse ka nevojë për plotësim dokumentacioni nga projektuesi (MASHT)’’

Vlera e kontraktuar për ndërtimin e këtij objekti është mbi 743 mijë euro dhe se vlefshmëria e kontratës është dy vjet./21Media

Back to top button