Guvernatori i BQK-së-ambasadorit francez: Rregullorja na përafron me standardet e BE-së

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili së bashku me Zëvendësguvernatorin Fusha kanë pritur në takim Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot.
Në takim u diskutua për avancimin e kornizës rregullative dhe ligjore, duke përfshirë Ligjin për Bankat, Ligjin për Shërbimin e Pagesave dhe ligje tjera, të cilat kanë si synim përafrimin me direktiva të BE-së, shkruan rtv21.tv.
“Guvernatori Ismaili e informoi Ambasadorin Guérot mbi Rregulloren për Operacione me Para të Gatshme, duke sqaruar aspektet kryesore, efektet dhe argumentet për pozicionin e saj. U sqarua se Rregullorja avancon integritetin e sistemit financiar dhe përafron Republikën e Kosovën me standardet e BE-së”, ka shkruar BQK-ja.
Tutje Guvernatori i BQK-së shprehu vlerësimet dhe konsideratat më të larta për mbështetjen nga Banka e Francës, e cila ka kontribuar në projekte të ndryshme në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe ndihmën e popullit francez për popullin e Kosovës
“Guvernatori Ismaili ka njoftuar Ambasadorin Guérot lidhur me aktualitetet në sistemin financiar të vendit, zhvillimet makroekonomike, perspektivën, objektivat dhe Planin Strategjik të BQK-së, nismat për avancimin e sistemit financiar, përfshirë projektin për modernizimin e sistemit të pagesave dhe synimin për anëtarësimin në Zonën e Vetme të Pagesave Euro të Bashkimit Evropian, i njohur si SEPA”, ka shkruar BQK.
Një temë tjetër e cila u diskutua në këtë takim ishin edhe veprimet e ndërmarra ndaj parave të falsifikuara, si dhe planet tjera për fuqizimin e integritetit të sistemit financiar, me praktikat më të mira ndërkombëtare.
“Guvernatori Ismaili e informoi Ambasadorin Guérot mbi Rregulloren për Operacione me Para të Gatshme, duke sqaruar aspektet kryesore, efektet dhe argumentet për pozicionin e saj. U sqarua se Rregullorja avancon integritetin e sistemit financiar dhe përafron Republikën e Kosovën me standardet e BE-së”, thuhet tutje në postim.
Ndërsa, Ambasadori francez u njoftua edhe për Planin e BQK-së për zbatimin e kësaj Rregulloreje në praktikë, si dhe veprimet për lehtësimin e efekteve të saj, krahas angazhimit konstruktiv të BQK-së për lehtësimin e transferimit të mjeteve sipas modelit të propozuar dhe gatishmërisë për të diskutuar opsionet e mundshme ligjore.
“Sa i përket shqetësimeve të ngritura lidhur me ndikimet e saj në një komunitet të caktuar, u sqarua se Rregullorja në fjalë nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro dhe as nuk kufizon aktivitetin këmbimor që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jo-bankare të licencuara nga BQK”, përfundon BQK-ja./21Media