​Guvernatori përmbyll mandatin, Mehmeti: BQK shtyllë kryesore e ekonomisë

Në përfundim të mandatit pesëvjeçar, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës(BQK), Fehmi Mehmeti ka vlerësuar se institucioni të cilin e drejtoi ai përgjatë kësaj periudhe ka qenë shtyllë kryesore për ekonominë kosovare.

Guvernatori Mehmeti të cilit i skadon mandati këtë të mërkurë, theksoi se është krenar që nën udhëheqjen e tij, BQK ka arritur të zbatoi objektivat e saj për një sistem të qëndrueshëm financiar.

Ai përmendi edhe sukseset në përballimin e krizave të shkaktuara nga pandemia Covid-19 dhe nga agresioni rus në Ukrainë. Mehmeti pret që rritja ekonomik për këtë vit të jetë 3.2 për qind.

Në adresimin e tij të fundit për media, Mehmeti foli po ashtu për eliminimin e tij nga gara edhe për një mandat të ardhshëm.

“Me gjithë vështirësitë me të cilat jemi ballafaquar si institucion, por edhe unë personalisht si guvernator jam i lumtur dhe krenar të ju informoj që gjatë pesë vjetëve të fundit, Banka Qendrore e Kosovës ka arritur të zbatoi objektivat e saj duke siguruar një sistem financiar të qëndrueshëm e sidomos viteve të fundit arritëm të përballojmë me sukses krizat e shkaktuara nga pandemia Covid-19 dhe nga agresioni rus në Ukrainë, por edhe të jetë një nga shtyllat kryesore të mbështetjes për bizneset dhe individët, si dhe në këtë rast të ekonomisë në përgjithësi në Kosovë”, theksoi ai.

Mehmeti tha se i respekton të gjitha vendimet e Panelit Zgjedhor, dhe Kuvendit të Kosovës për emërimin e guvernatorit të ri në BQK.

“Kjo është çështje që i përket Panelit, Komisionit parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere dhe Kuvendit të Kosovës, si dhe presidentes. Unë çfarë do vendimi që merret qoftë prej panelit, apo kuvendit jam për ta zbatuar dhe ta respektuar”, theksoi ai.

Guvernatori në largim, Mehmeti ka paraqitur para gazetarëve edhe një përmbledhjes të aktiviteteve që e kanë karakterizuar sistemin financiar të vendit gjatë kësaj periudhe.

“Që nga marsi i vitit 2018, me rastin e dekretimit tim si guvernator kemi arritur që me sukses të përmbushim rolin tonë kushtetues dhe ligjor përmes vendimmarrjes profesionale të bazuara në standarde, parime të mira të qeverisjes korporative, pavarësisë dhe llogaridhënies. Sistemi financiar në vend gjatë kësaj periudhe 5-vjecare është karakterizuar me zhvillime pozitive dhe rritje të vazhdueshme në gjithë indikatorët e saj. Nën udhëheqjen time si guvernator, BQK ka arritur që të siguroi një sistem financiar stabil, mirë të kapitalizuar dhe likuid… Gjithashtu performanca e përgjithshme financiare e BQK-së gjatë kësaj periudhe ka qenë shumë e kënaqshme, duke realizuar të ardhura gjithëpërfshirëse gjatë gjithë pesë vjeçarit tim qeverisës. Vetëm në vitin 2022 sipas informatave që i kemi të pa audituara, rezultati financiar pozitiv i BQK-së është rreth 8 milionë euro”, theksoi ai.

Ai në fjalimin e gjatë para mediave, theksoi se sektori bankar gjatë periudhës 2018 – 2022 ka arritur të ketë rritje të aseteve për 2.6 miliardë euro apo me një rritje prej 61.6 për qind. Vlera totale e aseteve në 2022, ai deklaroi se shënoi 6.76 miliardë euro nga 4.18 miliardë që ishte në fund të vitit 2018.

Derisa në kontekstin kohor 2018 – 2022, Mehmeti theksoi se niveli i kredive aktive u rritën për 1.6 miliard euro apo me një rritje prej 57.9 për qind. Sipas tij, rritja e theksuar e kredive nuk ka ndikuar në rritjen e kredive jo performues, që në fund të vitit 2022, niveli I kredive jo performuese shënoi 2 për qind që është i krahasueshëm me sistemin bankar në BE.

Më tej ai tha se BQK do të vazhdojë angazhimin e saj në funksionimin e mbrojtjes dhe të drejtave të konsumatorëve, ku bëri të ditur se deri në muajin nëntor 2022 numri i ankesave të shqyrtuara nga BQK ka arritur në 810 ankesa.

Back to top button