Guxo: Mbështesim institucionet, kryetarët e zgjedhur të punojnë nga ndërtesat komunale

Partia Guxo ka deklaruar mbështetjen e plotë për institucionet e Kosovës në përpjekjet demokratik për qeverisje lokale, rend dhe ligj. Sipas kësaj partie, kryetarët e zgjedhur në komunat veriore duhet të punojnë nga objektet komunale.

Në një deklaratë të kësaj partie lidhur me zhvillimet aktuale në vend, është theksuar se sovraniteti i Republikës së Kosovës është i panegociueshëm.

Gjithashtu është potencuar se vendosja e kryetarëve në objektet komunale për t’i kryer detyrat e tyre zyrtare, është obligim ligjor.

“Partia Guxo mbështet plotësisht institucionet e Republikës së Kosovës në përpjekjet demokratike për qeverisje lokale, për rend, rregull dhe ligj. Partia Guxo mbështet fuqishëm qëndrimin e institucioneve se kryetarët e komunave duhet të punojnë nga objektet zyrtare komunale dhe, natyrisht, në çdo ndërtesë zyrtare e qeveritare duhet të valojë flamuri i shtetit të Kosovës”, është bërë e ditur në deklaratë.

Tutje, janë dënuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve, ndërsa është shprehur mbështetje për komunikim dhe bashkërendim të ngushtë me partnerët ndërkombëtar.

“Partia Guxo mbështet komunikimin e sinqertë e të vazhdueshëm, bashkërendimin e bashkëpunimin e ngushtë të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës me misionet e me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilin partneritet e bashkëpunim vëllazëror, Republika e Kosovës ka trasuar e ndërtuar rrugën e vet drejt lirisë, pavarësisë, demokracisë e zhvillimit të saj si shtet i pavarur, sovran e unik”, është theksuar në deklaratë.

Partia Guxo ka deklaruar se si subjekt politik, por edhe me anë të përfaqësuesve të vet në Qeveri, do të angazhohet për tejkalimin e kësaj situate në veri të vendit, mbi bazën e ligjit dhe në bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë strategjikë, SHBA-të dhe vendet e demokracive perëndimore.

“Sovraniteti i Republikës së Kosovës është i panegociueshëm. Forcimi i institucioneve demokratike të vendit, shtrirja e sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës i shërben të gjithë qytetarëve të saj pa asnjë dallim”, ka deklaruar Partia Guxo.

Back to top button