Haliti: Ne e dimë që KFOR-i nuk shkon në mbrojtje të kërkujt nëqoftëse EULEX nuk e thërret

Xhavit Haliti, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në emisionin “Click” të RTV21 ka thënë se ne e dimë që KFOR-i nuk shkon në mbrojtje të kërkujt nëqoftëse EULEX nuk e thërret.

“Nëse Qeveria e Kosovës i merr vesh tri gjëra, KFOR i merr vesh 30 gjëra për një orë, e ne i marrim vesh për 1 muaj tri gjëra. Atyre nuk iu shpëton asgjë, as çka ndodh në Kosovë, as çka ndodh në Serbi. Ne e dimë që KFOR-i nuk shkon në mbrojtje të kërkujt nëqoftëse EULEX nuk e thërret, nuk e thirrë KFOR-in Qeveria”, ka thënë Haliti.

Ai tutje ka thënë se mënyra se si po flet kryeministri Albin Kurti, “është thu që KFOR janë mercenar tonë që i kemi paguar na dhe po i urdhërojmë ne shko kryej detyrat se të kam paguar, nuk është kështu”.

Ndryshe, KFOR këtë të enjte u ka bërë thirrje Kosovës e Serbisë t’i ulin tensionet dhe të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të çojnë siç thotë “në përshkallëzim të mëtejshëm”.

Ky reagim vjen pas rrëmbimint të tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës një ditë më parë.

KFOR-i ka deklaruar sërish se nuk ishte në zonën kur tre policët kosovarë u kidnapuan nga forcat serbe. Po ashtu rrëmbimin e policëve KFOR e cilëson si arrestim.

“Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO nuk ishte në zonë kur tre policë të Policisë së Kosovës u arrestuan dje nga Policia e Serbisë. KFOR-i ka dërguar një ekip në zonë dhe ka vendosur kontakte me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të autoriteteve serbe. KFOR-i është gjithashtu në kontakt të rregullt me misionin e udhëhequr nga BE-ja për Sundimin e Ligjit, EULEX”, thuhet në komunikatën e KFOR-it./21Media

Back to top button