Hamza: Më 8 qershor PDK do e udhëheqë qeverinë e ardhshme

(Lajm i përditësuar)
Hamza: Më 8 qershor PDK do e udhëheqë qeverinë e ardhshme
Kryetari i PDK-së Bedri Hamza në ”Click” të RTV21 ka folur për procesin zgjedhor dhe formimin e institucioneve pas zgjedhjeve, duke theksuar rëndësinë e respektimit të rezultatit dhe fillimit të menjëhershëm të bisedimeve politike për krijimin e institucioneve.
Ai tha se diaspora ka preferenca të ndryshme në votim, por sipas tij, respekti për shtetin dhe institucionet mbetet i padiskutueshëm.
“Diaspora jonë sa i përket votës ka preferenca të tjera, por sa i përket respektit për vendin dhe institucionet nuk ka dilema për këtë”, tha Hamza.
Ai shtoi se procesi zgjedhor duhet të menaxhohet mirë dhe se pas shpalljes së rezultateve duhet të fillojnë menjëherë negociatat për formimin e institucioneve.
“Zgjedhjet duhet me qenë të organizuara mirë, secili me pranu rezultatin. Ditën e nesërme pas zgjedhjeve duhet me fillu bisedat për krijimin e institucioneve, për presidentin, qeverinë dhe Kuvendin. Marrëveshja politike duhet me e përfshi komplet strukturën e shtetit”, u shpreh ai.
Hamza theksoi se pas 8 qershorit mund të hapet rruga për ndryshime në qeverisje.
“Më 8 qershor ekziston mundësia që PDK të udhëheqë qeverinë e ardhshme”, deklaroi ai.
Hamza: Programi është rifreskuar, energjia dhe siguria kombëtare në qendër të planit
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se programi i tij politik nuk ka ndryshuar në thelb, por është përditësuar me elemente të reja, duke e vënë theksin te sektori i energjisë si prioritet strategjik.
Ai tha se baza e programit mbetet e njëjtë, por është plotësuar me qasje dhe politika të reja në fusha kyçe.
“Nuk kanë ndryshuar shumë gjëra, por kemi edhe rifreskim të programit. Baza është ajo që ka qenë, me plotësime të reja… Unë nuk them që gjendja në sektorin e energjisë nuk është mirë, por duhet me ndryshu. Nuk i përjashtoj kapacitetet e mundshme, përfshirë edhe gazin”, tha Hamza.
Hamza theksoi se energjia duhet trajtuar si çështje e sigurisë kombëtare.
“Energjia është edhe siguri kombëtare. Dështimi i sistemit energjetik mund të kolapsojë shtetin”, u shpreh ai.
Hamza: Ndryshimi në PDK po vjen me njerëz të rinj dhe rritje pagash
Kryetari i PDK-së Bedri Hamza, ka deklaruar se partia e tij po hyn në një fazë të re me përfshirje të gjerë të figurave të reja dhe pa kundërshtime në listat zgjedhore.
“S’kemi nevojë për shumë fjalë, le të na ndihmojnë. Ju uroj sukses. Ndihem i nderuar që Aida Dërguti ka pranuar të jetë pjesë e listës pa asnjë kusht. Ka plot të tjerë në PDK, mbi 50% e listës garojnë për herë të parë për deputet – nëse kjo nuk i thonë ndryshim, nuk di çka tjetër”, tha Hamza.
Ai shtoi se fushata duhet të fokusohet në programe dhe jo në sulme apo etiketime politike.
“Jo sulme, jo etiketime. Përmirësime do të ketë – më shumë të punësuar në sektorin publik, rritje pagash për 50% (kam provuar dhe e kam bërë), pensionistët dhe viktimat e dhunës do të trajtohen më mirë. Kur kam thënë, e kam bërë”, u shpreh ai.
Hamza theksoi gjithashtu se lista e PDK-së është miratuar me unanimitet të plotë.
“Lista është aprovuar me unanimitet, pa kundërshtime. Deputetët kanë përgjegjësi të madhe, janë përfaqësues të popullit”, deklaroi Hamza.
Hamza për Fatmir Limajn: Jemi bashkë, do jemi më të fuqishëm
Hamza: Limaj i mirëpritur në PDK
Hamza: PDK garon e vetme në zgjedhje, nuk kemi koalicione
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se partia që ai drejton do të garojë e vetme në zgjedhjet e ardhshme, duke përjashtuar mundësinë e koalicioneve parazgjedhore.
“Nuk kemi biseduar sepse ka vendim në PDK që edhe dy zgjedhjet e kaluara PDK garon e vetme. Kemi pasur një rast më herët, por mendoj se nuk është treguar shumë produktiv si koalicion. Këto janë zgjedhjet e treta që PDK garon pa koalicion”, tha Hamza.
Ai shtoi se nuk ka pasur diskutime konkrete për bashkëpunime me parti të tjera.
“Asnjëherë nuk kemi biseduar për këtë temë, as me Ramushin. Takohem edhe me Abdixhikun pa asnjë vështirësi në komunikim”, u shpreh ai.
Hamza theksoi se PDK është parti e veçantë politike dhe ka histori të ndryshme bashkëpunimesh, por aktualisht nuk synon koalicione.
“Ne jemi parti të ndryshme politike, kemi qenë në koalicione në të kaluarën me disa, por jemi e vetmja parti që ende nuk kemi pasur bashkim me VV në qeverisje. Nuk jemi bllok opozitar. Ne garojmë veçmas”, deklaroi Hamza.
“Nuk jemi në kohën me pleqnu”, Hamza për rastin në Skenderaj: Përgjegjësia është individuale
Rasti i Lushtakut, Hamza: Vetura sa një fiq paska dashur me godit autoblindën?! Po luajnë rolin e viktimës
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka kritikuar gjuhën politike në vend, duke thënë se polarizimi dhe deklaratat e ashpra po dëmtojnë shoqërinë dhe institucionet e Kosovës.
Ai theksoi foli edhe për rastin që ndodhi në Skenderaj mes Sami Lushtakut dhe Hysni Mehanit si dhe trajtimit të rastit në tërsi.
“Në këtë shoqëri fatkeqësisht është duke u përdorur një gjuhë aspak e duhur dhe jo adekuate. Mund të mos pajtohemi, por jam kundër çfarëdo dhune. Ne po flasim për pasojën, jo për shkakun. Shkaktarët për vite me radhë nuk kanë lënë politikan, institucione, media e biznese pa i tensionuar, dhe tani kur ndodh një ngjarje, nuk është mirë të ndodhë, por nëse ndodh, duhet të trajtohet njësoj si çdo rast tjetër. Ka pasur raste edhe më të rënda në Prishtinë që janë trajtuar ndryshe”, tha Hamza.
Ai shtoi se nuk duhet të ketë ndërhyrje politike në punën e drejtësisë.
“Kurti nuk është shembull i bashkëpunimit me drejtësinë. Sot si kryeministër thotë ‘kryeprokurori hajde në zyrën time’, pa u ndjekur procedurat e rregullta. Nuk është e duhur me u përdor njësia speciale pa bazë. Nuk kam parë rast që sulmi fizik të ketë ndodhur pa ndonjë paraprirje, por detajet i di policia deri në fund”, u shpreh ai.
Hamza theksoi se PDK nuk ka kompetenca për hetime dhe se drejtësia duhet të mbetet e pavarur.
“PDK nuk ka mekanizma të drejtësisë, nuk ka polici, nuk ka prokurori. Nuk jemi në kohën me pleqnu, kemi ligjin dhe Kushtetutën. PDK ka 200 mijë votues dhe përgjegjësia është individuale. Nuk dua skena të tilla në Kosovë, nuk dua që vendi të vijë në situatë ku rrezikohet rendi dhe ligji”, tha ai.
Ai i bëri thirrje kryeministrit Albin Kurti të ulë tensionet politike.
“Albin, mos shaj, mos nxit, mos përçaj, mos polarizo, ndalu se nuk është mirë”, deklaroi Hamza.
Hamza foli edhe për deklaraten e Kurtit se ”kryetari i Komunës së Skenderajt, me veturë zyrtare, kishte tentuar të ndërpriste në mënyrë të dhunshme qarkullimin e eskortës së tij dhe se kishte pasur “tentim për rrezik”.
“Nuk kam parë rast, një veturë me madhësi të një fiqes paska dashur me godit një autoblindë. Këta e luajnë mirë rolin e viktimës në publik, por jetojnë shumë mirë dhe punët i kanë shumë mirë”, shtoi ai.
Hamza për çështjen e presidentit: Refuzimi ishte i Kurtit
Bedri Hamza, kryetari i PDK-së në ”Clcik” të RTV21 ka folur për procesin e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, duke thënë se partia e tij nuk ka këmbëngulur për pozita, por ka marrë pjesë në bisedime institucionale me qëllim të gjetjes së zgjidhjes.
Ai tha se diskutimet janë zhvilluar në disa nivele dhe se komunikimi nuk është kufizuar vetëm në formate zyrtare, por edhe përmes takimeve dhe kanaleve të tjera të komunikimit.
“Nuk kemi këmbëngulur në pozitën e presidentit. Kemi shkuar, kemi biseduar, kemi pasur ftesa dhe nuk kemi mbetur vetëm te protokollet, me qëllim me bo mirë edhe komunikimin, qoftë në WhatsApp, në zyrë të qeverisë apo edhe të dielave. Kemi biseduar për mundësinë e zgjedhjes së presidentit”, tha Hamza.
Ai shtoi se nëse do të kishte një kandidaturë nga familja Jashari family, ajo do të trajtohej me respekt të veçantë dhe vëmendje të plotë.
“Nëse ka kandidaturë nga familja Jashari, pa asnjë dilemë e kam dëgjuar me kujdes dhe me respekt deklaratën e Murat Jasharit. E kam mirëkuptuar dhe e kam marrë si të mirëqenë si ide për diskutim”, u shpreh ai.
Hamza theksoi se për PDK-në procesi duhet të bazohet fillimisht në marrëveshje politike, pastaj në standarde dhe më pas në emra konkretë.
“E para i paraprin marrëveshja, pastaj standardet, pastaj emri. Unë jam mjaftueshëm i përgjegjshëm, për mua nuk mjafton vetëm të adresosh një situatë politike për të qenë president. Duhet të jesh person me dije profesionale, politike, përfaqësues i mirë i shtetit. Nuk kam thënë që domosdoshmërisht duhet të jetë nga strukturat e PDK-së. Hajde të flasim për standarde, jo vetëm për emra, ”një ti një unë, dihet kush fiton”. ‘A keni emra?’. More ne po dakordohemi, refuzimi ishte i Kurtit, në fund tha se nuk ka me pas kandidatura të partive”, tha Hamza.
Tutje Hamza shtoi se,“Glauk Konjufca nuk është partiak, Fatmire Kollçaku nuk është politike, as Andin Hoti nuk është politik – si mund të thuhet që nuk janë politik?”.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se në rrugëtimin e tij politik nuk ka vendosur asnjëherë vija të kuqe për komunikim apo bashkëpunim, kur në pyetje është interesi i vendit.
“Asnjëherë gjatë gjithë rrugëtimit tim politik nuk kam vendosur vija të kuqe për komunikim apo bashkëpunim në momentet kur është interesi i vendit. Publikisht e kam thënë, të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare i kemi përkrahur, nuk jemi kundër ligjeve por kundër procedurave, tha Hamza.
Ai shtoi se nuk e kupton ndarjen politike në “të fortë” dhe “të butë”, duke theksuar se politika matet me rezultate konkrete.
“Unë nuk e kuptoj këtë ‘i fortë’ dhe ‘i butë’”, u shpreh ai.
Hamza foli edhe për ndikimin e rritjes së pagave dhe inflacionit, duke thënë se përmirësimi nuk është real.
“Rritja e fundit, paga e 13-të, a e dini sa bën me rritjen vjetore? 8%, inflacioni 7.5%, dmth paga e 13-të është neutralizuar”, tha ai.
Ai theksoi se PDK nuk e përjashton askënd nga bashkëpunimi politik, por se çdo marrëveshje duhet të bazohet në programe dhe përmirësim të jetës së qytetarëve.
“Derën nuk ia mbyllim askujt, por kjo nuk do të thotë që është garanci për bashkëqeverisje. Nuk është çështje kush sa ministri i merr, por për çfarë dakordohemi për përmirësimin e jetës”, deklaroi Hamza.
Në fund, ai theksoi se në Kosovë zgjedhjet janë për Kuvendin dhe se pozitat ekzekutive janë rezultat i marrëveshjeve pas zgjedhjeve.
“Në VV vendosin Kurti dhe Dejona Mihali”, Hamza: PDK funksionon ndryshe
Hamza: Kurti doli me “fontanë dëshirash”, pa program dhe pa afate
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza në ”Click” të RTV21, ka kritikuar ashpër Albin Kurti, duke thënë se qasja e tij qeverisëse nuk ka qenë e bazuar në program konkret, por në premtime të përgjithshme pa afate dhe pa planifikim të qartë.
“Me Kurtin kemi dallim shumë të madh. Ai ka dalë dhe ka thënë, ka listuar një fontanë dëshirash, një listë dëshirash pa program. Nuk ka pasur kurrë program në Kuvend, ka dalë me një listë dëshirash pa datë të fillimit të projekteve dhe pa datë të përfundimit të tyre. Është mirë që ata e kanë një program dhe e përsërisin vazhdimisht, por ata një herë premtojnë dhe ai premtim vlen në infinit”, tha Hamza.
“Flas me fakte”, Hamza: Qytetarët duhet me pasë shpresë, Kosova po zbrazet
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se pret rezultat të ndryshëm në zgjedhje, duke u bazuar në zhvillimet dhe të dhënat aktuale në vend, ndërsa ka thënë se ndërrimi i pushteteve është proces i shëndetshëm në demokraci.
“Në zgjedhje pres rezultat ndryshe në bazë të zhvillimeve dhe të dhënave. Ndërrimi i pushteteve ndodh gjithkund, është i shëndetshëm kur ndodh. Normalisht, pritjet e njerëzve kanë qenë që me ndryshimin e partisë politike në pushtet do të shohin ndryshime pozitive. Kanë pritur ndryshime që prej 2019, por në fakt ndryshimet nuk kanë ndodhur në shumë fusha, përkundrazi ka pasur regres. Ndryshimet me këtë pushtet janë minimale dhe në shumë vende kemi degradim të qeverisjes”, tha Hamza.
Ai shtoi se kritikat e tij bazohen në fakte konkrete për gjendjen në vend.
“Unë flas vetëm me fakte. Nëse them se nuk është ndërtuar asnjë projekt, kapacitetet e reja energjetike nuk ekzistojnë. Nëse flas për kapjen e institucioneve, janë fakte. Nëse flas për gjendjen e ndërmarrjeve publike, po ashtu janë fakte”, u shpreh ai.
Hamza theksoi se qytetarët kanë nevojë për shpresë dhe zhvillim, duke paralajmëruar për rrezikun e zbrazjes së vendit.
“Qytetarët e këtij vendi duhet me pasë shpresë. Kosova po zbrazet, po e humb asetin kryesor – resurset njerëzore. Na duhet zhvillim, stabilitet dhe ekonomi, jo përplasje. E kuptoj kritikën, është shumë mirë që Kosova është vend demokratik”, deklaroi Hamza.
Hamza: Kurti e ktheu Kosovën në “status quo”
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza në ”Click” të RTV21 , ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për stagnim të shtetit dhe përkeqësim të marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë. Ai tha se Kosova ishte marrë në qeverisje nga Kurti si një shtet i konsoliduar dhe me infrastrukturë të ndërtuar, por sipas tij, qeveria aktuale nuk ka sjellë zhvillim konkret.
“Kurti e ka marrë Kosovën një shtet sovran dhe të lirë, një shtet të njohur nga qindra vende të botës, një shtet të anëtarësuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore, Bankën Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim dhe shumë organizma të tjerë. E ka marrë Kosovën me autostrada, me mijëra rrugë dhe me një buxhet stabil, ndërsa sot e ka kthyer Kosovën në një status quo. Ka dëmtuar edhe raportet me SHBA-të, deri në suspendimin e dialogut strategjik, taman puna për 6 vjet qeverijse mos me u bo dikun një qerdhe ose edhe nje ure”, tha Hamza.
Ai foli edhe për transparencën në shpenzimin e parasë publike, duke theksuar se qytetarët kanë të drejtë të informohen për mënyrën se si menaxhohen financat shtetërore.
“Publiku ka të drejtë të jetë i informuar për mënyrën e shfrytëzimit të parasë publike. Buxheti nuk mund të trajtohet si pronë private”, tha Hamza.
“Kosova po humb drejtësinë” Hamza: Pasiguria vetëm do të rritet
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza,në ”Clcik” të RTV21 ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja me qëllim politik dhe për të vazhduar, siç tha ai, “kapjen e institucioneve të shtetit”. Në një deklarim publik, Hamza tha se situata politike dhe institucionale në Kosovë është krijuar me vetëdije nga pushteti aktual, ndërsa ngriti shqetësime edhe për sistemin e drejtësisë dhe sigurinë në vend.
“Ai e ka pasur qëllim të tijin me e prodhu këtë situatë. Njëra prej arsyeve, përveç tjerave, po shihet vazhdimi i kapjes së institucioneve, institucioneve jetike për shtetin. Këto ditë kemi me pa çka do të ndodhë me kryeprokurorin e shtetit. Nëse ky vend e humb edhe sistemin e drejtësisë, atëherë pasiguria në këtë vend vetëm rritet”, tha Hamza.
Ai theksoi se partia që aktualisht udhëheq me vendin duhet të japë llogari për rezultatet pas më shumë se gjashtë vitesh në pushtet, duke shtuar se nuk mund të vazhdohet me arsyetime ndaj qeverive të kaluara.
“PDK nuk e udhëheq Qeverinë e Kosovës që nga viti 2014. Nuk është mirë që edhe pas gjashtë vitesh të vazhdohet me ankesa për të tjerët. Pas gjashtë vitesh duhet me pasë rezultate”, deklaroi ai.
Hamza kritikoi edhe gjendjen ekonomike dhe mungesën e zhvillimit në sektorë kyç, duke përmendur rritjen e importeve dhe rënien e prodhimit vendor.
“Rriten importet, prodhimi i brendshëm bie. Sa është rritur furnizimi me barna, sa është përmirësuar cilësia e arsimit? Janë më pak se minimalja në raport me mundësitë. Në energji, cilat janë kapacitetet e reja energjetike? Është përfshirë vetëm mafia energjetike. Sa njohje dhe sa anëtarësime të reja ka pasur? Tre vjet vendi ka mbetur nën sanksione”, tha Hamza.
“Kurti mendon vetëm për vete”, Hamza: Nuk ka pasur nevojë për këto zgjedhje
Kandidati për kreyminsitër nga PDK-ja Bedri Hamza, në një intervistë ekskluzive për emisionin “Click” në RTV21, ka kritikuar ashpër qeverisjen aktuale dhe Albin Kurtin, duke e akuzuar për mungesë të stabilitetit politik dhe përkeqësim të gjendjes ekonomike në vend.
“Jam i sigurt se nuk ka pasur nevojë për këto zgjedhje. Ata që kanë pasur përgjegjësinë për t’i dhënë vendit institucione dhe stabilitet nuk e kanë bërë këtë. Mund të konstatoj se Kosova është në krizë politike, ekonomike, institucionale dhe të rezultateve, dhe adresa e kësaj është Albin Kurti. Po të kishte dashur Albin Kurti, vendi do të kishte institucione dhe stabilitet. Mungesa e stabilitetit politik është duke e dëmtuar zhvillimin ekonomik. Vendi po përballet me rritje enorme të çmimeve, shumica e artikujve bazë janë bërë më të shtrenjtë se në Gjermani dhe Zvicër, ndërsa të ardhurat, pagat dhe pensionet kanë mbetur të njëjta. Standardi i qytetarëve po përkeqësohet. Por ajo që është më e rëndësishme është se partia në pushtet dhe Kurti e kanë qëllim vetëm që vetë të jenë mirë, ndërsa si është vendi nuk ka më rëndësi”, tha Hamza./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?