Hapen Lojërat Parasportive “Kosova 2023”, afirmohet shteti në arenën ndërkombëtare

Komiteti Paralimpik i Kosovës (KPO) ka organizuar sot ceremoninë e hapjes së Lojërave Parasportive Kosova 2023, në ambientet e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.

Përveç mbi 450 paraatletëve të pranishëm nga vendet e rajonit, këtë ceremoni me prezencën e tyre e nderuan edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presidentja e KPK-së, Njomza Emini, zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia si dhe drejtori i departamentit për sigurinë publike në OSBE, Edward Anderson..

Kryeministri Kurti edhe zyrtarisht hapi Lojërat Parasportive Kosova 2023, ndërsa në një fjalë rasti tha se sukseset e Komitetit Paralimpik do ta afirmojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Sa i përket anëtarësimit në organizatën ndërkombëtare, tash Komiteti Paralimpik padyshim që ka korrur suksese të pamohueshme të cilat e ndihmojnë sportin, i ndihmojnë personat me aftësi të kufizuara dhe e afirmojnë shtetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, tha Kurti.

Ganimete Morina, kryetare e Asociacionit të tenisit në karrocë, u shpreh e lumtur për këtë ngjarje, në të cilën pjesëmarrës do të jenë mbi 450 paratletetë nga rajoni të cilët do të garojnë në 12 disiplina të ndryshme sportive.

“Jam shumë e lumtur që këtë vit po mblidhemi bashkë parasportistët për të garuar në këtë kompeticion i cili dëshmon profesionalizmin, përkushtimin dhe nivelin e lartë të parasportistëve tanë. Mbi 450 paraatletë nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia Veriore dhe Kroacia do të garojnë në 12 disiplina për ta bërë këtë ngjarje të paharrueshme për secilin prej nesh”, tha Morina.

Ndërkaq, presidentja e KPO-së Njomza Emini tha se këtë organizim e bënë më madhështorë pranimi i Komitetit Paralimpik të Kosovës në Komitetin Paralimpik Evropian.

“Komitetin Paralimpik ky organizim po e gjen më madhështorë se kurrë. Të tillë e bënë edhe lajmi i fundit të cilin javë më parë me krenari e kemi ndarë me ju, ai i pranimit të Komitetit Paralimpik të Kosovës në Komitetin Paralimpik Evropian, një e arritur kjo që peshon pamatshëm në aspektin diplomatik, kulturor dhe human, një rrugëtim i shoqëruar me përkushtim të pashoq, punë të palodhshmuue, vullnet të patundur dhe besim me vlera, i cili ka bërë që edhe shtetet anëtare të Komitetit Evropian që të votojnë pro anëtarësimit tonë në këtë rrjet të rëndësishëm ndërkombëtarë duke u kundërshtuar vetëm nga Serbia, por vota e së cilës rezultoi e papeshë në këtë proces. Ndonëse Lojërat Parasportive tashmë janë tradicionale, sivjet organizimi i tyre ka kaluar në një nivel të ri, duke u shndërruar në kompeticion rajonal”, tha Emini.

Angelo Michele Ristuccia, komandant i KFOR-it ka uruar Komitetin Paralimpik të Kosovës për pranimin në Komitetin Paraolimpik Evropian.

“E para për t’iu uruar për paraqitjen e cila për çdo ditë po ndryshon dhe e dyta për t’iu përshëndetur të gjithë atletët që nuk iu konsideroj vetëm atletë por edhe sportistë të vërtetë“, ka thënë ai.

Nga misioni i OSBE, Edward Anderson, drejtori i departamentit për sigurinë publike në OSBE, tha se komuniteti paralimpik bashkoi komunitetet dhe personat që tregojnë se edhe e pamundura është e mundur.

“Shumë herë keni dëgjuar ndërkombëtarët të flasin për se çfarë kërkon një komunitet. Por këtu tregohet se çfarë do të thotë në të vërtetë. Unë e di që ju jeni dashuri dhe inkurajim dhe se historia juaj shkon thellë. Sepse historia juaj fillon me ata që u kanë shërbyer të tjerëve para vetes, dhe ju falënderoj që kujdeseni për një traditë të pasur. Ju tregoni atë që në duket e pamundur por është gjithmonë e mundur. Unë kam pasur një karrierë ku kam pasur individë që më thonë se kanë frikë të ndjekin ëndrrat e tyre. Por unë u shpjegova, nuk duhet të mos shkosh pas asaj që dëshiron zemra jote. Guxoni të bëni atë që bëni mirë, dhe bëjeni më së miri, suksesi nuk ka të bëjë me madhështinë, ka të bëjë me qëndrueshmërinë. Dhe unë do t’ju them se ajo që bëni në suksesin tuaj është qëndrueshmëria, ju jeni të shkëlqyer, jeni të guximshëm dhe jeni të gatshëm të jeni kampionë dhe veproni si model për shumë njerëz. Unë e përgëzoj komitetin paralimpik për punën tuaj të palodhur. Jeni në rrugën tuaj për gjëra më të mëdha dhe më të mira dhe anëtarësimi juaj dhe komitetet ndërkombëtare paraolimpike evropiane është vetëm një hap mes shumë të tjerëve që do të vijnë, duke përfshirë atletët si pjesë e lojërave paraolimpike botërore 2025”, tha ai.

Për fund, drejtori i Akademisë Publike për Siguri në Kosovë, Rrahim Rexhaj siguroi Komitetin Parasportiv të Kosovës për përkrahje të vazhdueshme, në rrugëtimin e ngritjes së Lojërave Parasportive në arenën ndërkombëtare.

“Tanimë Akademia vetëm sa po e forcon çdo vit e më shumë lidhshmërinë me Komitetin Paralimpik të Kosovës. Ju sigurojmë se ne si institucion, do të jemi gjithmonë në krahun tuaj duke ju inkurajuar edhe më tej se në asnjë moment të mos mendoni se jeni vetëm. Ne jemi këtu për ju dhe me ju për t’iu mbështetur me vullnetin më të madh në rrugëtimin tuaj drejt ngritjes së Lojërave Parasportive në arenën ndërkombëtare” tha Rexhaj.

Në këto Lojëra Parasportive “Kosova 2023” pjesëmarrës janë afro 450 paraatletë nga shtetet e rajonit si Maqedonia e Veriut, Kroacia e Mali i Zi, si dhe nga Kosova.

Back to top button