(Lajm në zhvillim) Cakolli: Atmosferë që më së paku i ngjason zgjedhjeve, më së paku ka pasur votues

(Lajm i përditësuar)

Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim (DnV) për RTV21 deklaroi se zgjedhjet në veri po karakterizohen me atmosferë të qetë, si shkak i mungesës së votuesve.

Sipas tij, atmosfera e zgjedhjeve të sotme  ishte ” atmosferë që më së paku i ngjason zgjedhjeve”.

Cakolli tutje ka shtuar se të pranishëm në këto zgjedhje më së paku kishte votues.

Kryeziu: Ky proces s’e meriton të quhet proces zgjedhor

Ismet Kryeziu nga koalicioni i organizatave të shoqërisë civile, Demokracia në Veprim (DnV), i cili po monitoron zgjedhjet në katër komunat në veri, ka thënë se rrethanat në të cilat po zhvillohet procesi zgjedhor nuk garantojnë zgjedhje të lira, të drejta dhe barabarta.

“Ky proces nuk i plotëson standardet për t’u quajtur proces zgjedhor i ndershëm dhe për të garantuar standardet dhe idenë pse po mbahen zgjedhjet”, ka theksuar Kryeziu.

Ai ka thënë se qysh në fillim kanë paralajmëruar se nuk ekzistojnë kushte dhe rrethana për të organizuar zgjedhje në këto komuna.

“Sot, duke parë refuzimin e qytetarëve serbë për të marrë pjesë në zgjedhje dhe numrin e vogël që s’mund të kalojë as gishtërinjtë e dorës, mendoj që ky proces është më tepër improvizim i zgjedhjeve sesa një proces që garanton standardet e zgjedhjeve të drejta dhe të lira ku përfshihen edhe komunitetet”, ka thënë Kryeziu në një intervistë për televizionin publik.

Sipas tij përveç legjitimitetit juridik, ky proces nuk ka as legjitimitet politik.

15:05 – Gjithçka në rregull me procesin zgjedhor në Leposaviq

Menaxheri i qendrës së improvizuar në fshatin Koshtovë të Vllahisë në Leposaviq, Avni Halili tha për RTV21 se deri më tani në këtë qendër gjithçka ka shkuar në rregull, megjithatë tha se është numër i ulët i qytetarëve që kanë marrë pjesë në zgjedhje deri më tani.

Halili tha se në këtë qendër deri më tani kanë votuar vetëm 23 qytetarë me të drejt vote, të gjithë shqiptarë.

14:12 – Zgjedhjet në Zveçan të qeta, e me pak votues

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale po mbahen sot në komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Ekipi i RTV21 ka raportuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor edhe nga komuna e Zvçanit.

Deri më tani në fshatin Lipë, te qendra e votimit në shkollën “Isa Boletini”, ku të drejt vote kanë 205 qytetarë, nga ta kanë votuar vetëm 43 qytetarë.

Deri më tani në këtë qendër nuk është raportuar për ndonjë incident. Por, vlenë të theksohet se kjo qendër është hapur dy orë me vonesë, për shkak se nuk kishte arritur me kohë materiali zgjedhor nga KQZ-ja.

Në këtë komunë kanë të drejtë vote mbi 6 mijë qytetarë.

14:00 – Policia e Kosovës po e ruan shtëpinë e kandidates serbe për kryetare të Zveçanit

Kandidatja e pavarur për kryetare të Zveçanit, Sllagjana Pantoviq, u përcoll nga Policia e Kosovës në vendvotimin e saj të dielën, e aktualisht pranë shtëpisë po i qëndron edhe një njësit i Njësisë Speciale.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by RTV21 Official (@rtv21)

13:31 – Krasniqi: Zgjedhjet do të rezultojnë me institucione jofunksionale

Albert Krasniqi, nga Organizata Demokraci Plus, thotë se pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në zgjedhjet e parakohshme lokale në komunat veriore të Kosovës, nuk e bën të pamundur ligjërisht themelimin e institucioneve, por, sipas tij, ato nuk do të jenë legjitime.

Ky proces, thotë Krasniqi, do të rezultojë me institucione jofunksionale.

Ai për rel po ashtu, thotë se përmes bojkotit të zgjedhjeve, po përçohet mesazhi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, te komuniteti ndërkombëtar, se ai e ka kontrollin efektiv në këtë pjesë të territorit të Kosovës.

Me mbështetjen e tij, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk po merr pjesë në zgjedhjet e parakohshme lokale në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, dhe ka bërë thirrje për bojkotimin e gjithë procesit.

13:14 – Voton kandidati i VV-së në Leposaviq: Dilni në zgjedhje, të mos humbë asnjë votë

Kandidati i Vetëvendosjes në Leposaviq, Lulzim Hetemi e ka hedhur votën e tij.

Ai ka bërë thirrje për pjesëmarrje në zgjedhje, duke thënë që nuk duhet humbur asnjë votë.

“Për banorët, dilni në zgjedhje sa më shumë, mos të humbet asnjë votë. Ma merr mendja që do të dalin edhe serbët, do të qeverisim së bashku, me ata serb të guximshëm. Ne jetojmë më shekuj këtu, në vendin tonë jemi, Leposaviqi është qyteti ynë”, është shprehur ai.

12:44 – Zeqiri: Serbëve të veriut po u bëhet presion nga shteti serb

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për Zubin Potokun, Izmir Zeqiri u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. Ai ka thënë se serbëve të veriut po u pamundësohet një gjë e tillë, ani pse të njëjtit kanë dëshirë që të marrin pjesë në këtë proces zgjedhor.

Kandidati për kryetar të Zubin Potokut pasi ka votuar në qendrën e votimit tha se zgjedhjet po vijojnë pa probleme.

“E kryem obligimin tonë qytetar e kushtetues, votuam për këto zgjedhje të cilat uroj që të dalin të suksesshme edhe me siguri ashtu. Si duket procesi po shkon në gjendje të rregullt dhe mirë. Uroj që këto zgjedhje të pranohen dhe të jenë të suksesshme. Unë kisha bërë thirrje edhe prej këtu gjithë qytetarëve që të dalin dhe të kryejnë obligimin e tyre qytetar dhe kushtetues”, ka thënë ai.

Zeqiri shtoi se serbëve të veriut po u presion nga shteti serb, ani pse të njëjtit kanë dëshirë që të marrin pjesë në këto zgjedhje.

“Besoj që fluksi i qytetarëve në këtë qendër do të jetë prej tani e tutje. Sa i përket serbëve, nuk e di a ka ndonjë votues, dihet presioni që po ju bëhet nga ana e shtetit serb. Kemi pritur dhe presim që edhe ata… Unë konsideroj që atyre po u bëhet një krim me atë ngushtim të jetës së tyre, sepse ndoshta unë jam shumë i besueshëm që me dëshirë do të dilnin një pjesë një pjesë e madhe po të kishin qenë të lirë. Meqë kanë qenë ato sulmet paraprake, prona, vetura. Dhe ato janë marrë një lloj presioni, që ose duhet të jenë të dëgjueshëm atyre grupeve që i mbajnë nën presione. Mirëpo unë besoj që duhet të dalin dhe uroj që të dalin në zgjedhje”, ka shtuar ai.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Zubin Potokut është pyetur edhe nëse janë kushtet, në rast se zgjidhet kryetar, që ta marrë këtë post.

“Fjalën do ta thotë ligji, unë jam i gatshëm të marrë përgjegjësinë për ta udhëhequr Komunën. Është çështje etike vendosja e administratës në komunë, për momentin dihet se jashtë funksionit”, ka përfunduar ai.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri të vendit, kanë të drejtë vote gjithsej 45 mijë e 95 qytetarë, prej të cilëve 6 mijë e 661 votojnë në Komunën e Zubin Potokut.

11:47 – Kelmendi: Bëj thirrje që të gjithë qytetarët të votojnë

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për Mitrovicën e Veriut, Taulant Kelmendi u ka bërë thirrje sot të gjithë qytetarëve që të votojnë.

Pasi ka ushtruar të drejtën e votës, Kelmendi ka folur para gazetarëve, me ç’rast ka thënë se shpreson që të gjithë qytetarët do ta bëjnë të njëjtën gjë.

“Unë hyra dhe e shfrytëzova të drejtën time qytetare, votova. Shpresoj dhe bëjë thirrje te të gjithë banorët, tek të gjithë qytetarët me të drejtë vote me dal me votua për kandidatin, për të cilin ata mendojnë që është më i miri për ta”, ka thënë ai.

11:33 – Atiq: Ditë të mira po vijnë për Mitrovicën

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Mitrovicën e Veriut, Erden Atiq u shpreh i bindur sot se ditë të mira po vijnë për këtë komunë. Pasi votoi në qendrën e votimit në “Lagjen e Boshnjakëve”, ai tha se ka përfunduar koha kur Mitrovica është përmendur për të keq.

Atiq ftoi qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke zgjedhur udhëheqësinë e re të Mitrovicës së Veriut.

“Unë sapo votova, sapo e kreva obligimin qytetar. Shprehi mundësinë nëpërmjet televizionet tuaja me i bo ftesë të gjithë qytetarëve të komunës veriore të Mitrovicës që të votojnë në numër sa më të madh me përkrah kandidatin, të cilën ata mendojnë që është më i miri”, tha Atiq.

Atiq u shpreh i bindur se ditë të mira po vijnë për Mitrovicën e Veriut.

“Unë jam më se i bindur që për Mitrovicën po vijnë ditë të mira. Kanë përfunduar ditët kur komuna veriore e Mitrovicës u përmend vetëm në konotacion të keq edhe ka pasur vetëm lajme të këqija. Jam i sigurt që ditë të mira për Mitrovicën më në fund po vijnë”, shtoi ai.

Në Mitrovicën e Veriut garojnë Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare, Taulant Kelmendi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje. Të drejtë vote në katër komunat veriore kanë mbi 45 mijë qytetarë.

11:00 – Vetëm 9 votues në qendrën e votimit në Lagjen “Trerrokaqiejt”

Vetëm 9 votues në qendrën e votimit në Lagjen “Trerrokaqiejt” në Mitrovicë të Veriut. Ekipi i RTV21 raporton nga atje se situata aktualisht është e qetë dhe po monitorohet nga njësitet e Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe të EULEX-it

09:46 – Voton kandidati për kryetar të Mitrovicës së Veriut nga Iniciativa Qytetare Mitrovica

Kandidati për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut nga Inciativa Qytetare ‘Mitrovica’, Betim Osmani, ka votuar në zgjedhjet e sotme.

Osmani pas votimit ka thënë se shpreson që të formohen sa më shpejt institucionet e reja sepse qytetarët për to po kanë shumë nevojë.

“Qytetarët kanë shumë nevojë për institucione, tash e sa muaj jemi si qytetarë duke hjekë keq për institucione, ka nevojë aq shumë dhe shpresoj që do të arrijmë shumë shpejt me i kriju këto institucione”, tha Osmani.

Mitrovica e Veriut është komunë në të cilën kanë të drejtë vote 18 mijë e 118 votues, të shpërndarë në pesë qendra të votimit. Kandidatët për këtë komunë janë Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare ‘Mitrovica’, Taulant Kelmendi nga Partia Demokratike e Kosovës, dhe Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje.

08:42 – Voton Pantoviq, kandidatja serbe për kryetare të Zveçanit: Pres ndryshime

Kandidatja e vetme serbe në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Zveçanit, Sllagjana Pantoviq, ka votuar në qendrën e votimit e cila gjendet krejt pranë stacionit të policisë në këtë komunë.

Me këtë rast, në një prononcim për media ajo deklaroi se ka ardhur koha për ndryshime pas qeverisjes dhjetëvjeçare të Listës Serbe në këtë komunë.

“Po pres për qytetarët e Zveqanit se do të jetë më mirë se sa që ka qenë deri më tani, që zgjedhjet do të mbahen të qeta, në mënyrë të qetë dhe pa incidente, sepse mendoj se zgjedhjet po mbahen dhe duhet të mbahen në paqe, në dashuri dhe respekt për popullin dhe jo me urrejtje, kërcënime dhe shantazhe”, tha ajo.

Kandidatja e vetme serbe në zgjedhjet e 23 prillit që po mbahen në veri të vendit është shprehur optimiste se edhe serbët do të dalin në votime.

“Kjo është disi një rregulli im, kush do të dalë, unë mendoj që populli do të dal, do t’iu ngjallet ndjenja. Kush del e falënderoj kush nuk del po njësoj. Çfarë të them ne këtë situatë e cila është specifike nuk kam koment, mendoj nuk mund të them përafërsisht sa votues pres që do të dalin, apo diçka po, në çdo rast shpresoj se do të ketë”, tha ajo.

Në Komunën e Zveçanit të drejtë vote kanë 6 mijë e 998 persona.

07:57 – Zubin Potok, asnjë votues në qendrën më të madhe

Në qendrën më të madhe të votimit në Zubin Potok, atë 2813b, që është në rrugën Mitrovicë-Bërnjak, në dalje të Zubin Potokut, ende nuk ka asnjë votues, pavarësisht se gjithçka ka filluar në kohë.

Kryesuesi i kësaj qendre të votimit, Ferid Shabani, deklaroi para mediave se në këtë qendër të drejtë vote kanë 4 mijë e 111 votues, ndërsa pritshmëritë e tyre janë që të dalin pak më shumë se 300.

“Sa i përket daljes së votuesve nga 4 mijë e 111 votues për momentin nuk mund të them ndonjë parashikim se sa do të dalin, por shpresojmë që të paktën 8% do t’i përgjigjen nga numri i tërësishëm i votuesve. Sipas parametrave dhe sondazheve të bëra nga mediat e ndryshme dhe analizave të njerëzve që merren këto punë”, deklaroi Shabani.

Sa i përket sigurisë, Shabani tha se gjithçka është qetë.

“Sa i përket çështjes së sigurisë për momentin gjithçka është n rregull dhe shpresojmë ashtu siç ka filluar edhe do të përfundojë”, tha ai.

Ndërsa, në këtë qendër këtë mëngjes është thënë se nuk ka asnjë vëzhgues, as nga subjektet politike e as nga organizatat joqeveritare.

07:27 – Hapen qendrat e votimit në Zveçan

Edhe qendrat e votimit në komunën e Zveçanit janë hapur me kohë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës dhe këshilltarë komunalë të cilat po mbahen sot në vendin tonë.

Janë gjithsej pesë qendra të votimit në të cilat 6 mijë e 998 qytetarë të kësaj komune do të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

Situata aktuale e sigurisë është e qetë dhe nuk ka ndonjë problem, ndërsa vërehen pjesëtarët e Policisë së Kosovës afër këtyre qendrave, sidomos atyre alternative, të cilët po vëzhgojnë situatën nga afër.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by RTV21 Official (@rtv21)

07:12 – Hapen të gjitha qendrat e votimit në veri të Mitrovicës

Në veri të Mitrovicës ashtu siç është paraparë, të gjitha pesë qendrat e votimit janë hapur me kohë.

Janë 18 mijë e 118 votues që do të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në këto qendra.

Situata aktuale është e qetë dhe gjithçka po shkon sipas planit të paraparë, ndërsa vërehet numër jo i madh i qytetarëve, sidomos në zonat e banuara me shqiptarë, të cilët kanë dalë në mëngjes për ta ushtruar detyrën e tyre të votës.

E veçanta e këtyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme është se po mbahen për herë të parë pa pjesëmarrjen e partive politike serbe në përjashtim të një kandidateje të pavarur, dhe nga gjithsej 19 qendra, 6 janë të rregullta dhe 13 alternative.

07:00 – Sot zgjedhjet në veri të vendit

Në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, sot po mbahen zgjedhjet e parakohshme lokale, ku janë planifikuar të hapen 19 qendra të votimit, prej të cilave 13 do të jenë alternative apo të ashtuquajtura “kontejnerë”.

Në të kaluarën, në këtë zonë janë hapur 44 qendra votimi.

Ndërsa sot është vërejtur se ka pasur vonesa në furnizimin me material të ndjeshëm në qendrat e votimit.

Në garë janë dhjetë kandidatë, prej të cilëve vetëm një nga komuniteti serb. Ajo është Sllagjana Pantoviq, kandidate e pavarur për kryetare të Komunës së Zveçanit.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk merr pjesë në zgjedhje dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë që ta bojkotojnë procesin. Thirrje të ngjashme bëri edhe Beogradi zyrtar.

Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe./21Media

Back to top button