​KQZ: Hapen të gjitha qendrat e votimit në veri

(Lajm i përditësuar)


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të gjitha qendrat e votimit për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në katër komunat në veri të vendit, janë hapur me kohë dhe çdogjë ka shkuar në rregull.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi ka informuar se numri i qytetarëve me të drejtë vote për procesin e votimit pro apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në këto katër komuna, është rreth 46 mijë e 556 votues.

“Duke u mbështetur në të dhënat që kemi pranuar nga komisionet komunale të zgjedhjeve, ju njoftojmë se janë hapur të gjitha qendrat e votimit në këto komuna. Edhe sipas njoftimeve të mëhershme të KQZ-së, numri i qendrave të votimit në komunën e Leposaviqit është tetë, në Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut nga pesë. Në përgjithësi numri i qendrave të votimit në këto katër komuna është 23, megjithëse 63 vendvotime, numri i qytetarëve me të drejtë vote për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni nga katër komunat, është 46 mijë e 556 votues”, ka informuar Elezi.

Elezi ftoi të gjithë qytetarët e katër komunave, që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në procesin e votimit dhe të deklarohen nëse janë për apo kundër largimit të funksionit të kryetarit të komunës së tyre.


​Edhe në Zveçan hapen me kohë qendrat e votimit

Pesë qendrat e votimit në komunën e Zveçanit janë hapur me kohë dhe deri tani gjithçka është duke shkuar sipas planit dhe nuk ka ndonjë parregullsi.

Objekti i Komunës në Zveçan, shkollat ‘Isa Boletini”, në fshatrat Zhazhë e Kelmend, ‘Rajska Banja’, në Bajnskë dhe objekti komunal në fshatin Zhitkovc, do të shërbejnë sot për qytetarët të cilët duan të votojnë pro ose kundër largimit nga funksioni të kryetarit të kësaj komune, Ilir Peci.

Në këtë proces në komunën e Zveçanit të drejtën e votës e kanë gjithsej 7 mijë e 209 votues.

Aktualisht nuk shihen qytetarë të interesuar për të marrë pjesë në këtë proces, ndërsa vërehet prania e strukturave të sigurisë afër këtyre qendrave.

Ndryshe, autoritetet në Beograd dhe përfaqësuesit politik lokalë të serbëve, kanë bërë thirrje për bojkot të procesit, ndërsa autoritetet e Kosovës akuzuan Beogradin se po bënë presion ndaj qytetarëve për të mos votuar më 21 prill.


​Hapen qendrat e votimit edhe në Zubim Potok

Në objektin e Komunës së Zubin Potok është gati për të nisur procesin e votimit pro ose kundër shkarkimit të katër kryetarëve në komunat e pjesës veriore të vendit.

Në objektin e Komunës së Zubin Potok është gati për të nisur procesin e votimit pro ose kundër shkarkimit të katër kryetarëve në komunat e pjesës veriore të vendit.

Edhe nga KQZ ka konfirmuar se materialet janë shpërndarë me kohë, e po ashtu edhe organizatat që monitorojnë votimet veçse kanë arritur.

Në këtë komunë kanë të drejtë vote mbi 6 mijë e 600 qytetarë në pesë qendra të votimit me 11 vendvotime. Po ashtu, në këtë objekt të komunës është e vetmja qendër që mund të votohet me kusht.

Prezentë në këto proces të votimit shihen edhe forca KFOR-it dhe ato të Policisë së Kosovës.


​Hapen të gjitha qendrat e votimit në veri të Mitrovicës

Janë hapur në orën 7.04 të mëngjesit, të gjitha qendrat në veri të Mitrovicës, të cilat do të shërbejnë për votimin pro ose kundër largimit nga funksioni të kryetarit të kësaj komune, Erden Atiq.

Në këtë proces në veri të Mitrovicës po votohet gjithsej në pesë qendra, ndërsa të drejtën e votës e kanë gjithsej 18 mijë e 796 votues.

Në kohën kur po raportojmë, në njërën prej qendrave të votimit që është objekti i komunës, nuk ka qytetarë të interesuar për të marrë pjesë në këtë proces, ndërsa vërehet prania e strukturave të sigurisë, përkatësisht pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it, afër kësaj qendre.

Ndryshe, ky proces i votimit për të qenë i suksesshëm duhet pjesëmarrja e 50 përqind plus 1 votë nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar, në të kundërtën procesi do të dështojë dhe mund të përsëritet pas një viti, atëherë kur edhe pushon mandati i kryetarëve të të gjitha komunave të vendit, si dhe kur duhet të organizohen zgjedhjet e përgjithshme lokale në mbarë territorin e Republikës së Kosovës.


Hapen qendrat e votimit në Leposaviq

Në katin e katërt të objektit të Komunës në Leposaviqit janë bërë përgatitjet e fundit për fillimin e procesit të votimit. Materiali që ka arritur më herë nën masa të rrepta sigurie, tashmë po shpërndahet.

Në fletëvotimin në Leposaviq shkruan “A pajtoheni që Lulzim Hetemi të largohet nga funksioni i kryetarit të komunës së Leposaviqit?”.

Numri i qytetarëve në Leposaviq me të drejte vote është mbi 13 mijë, në tetë qendra votimi.

Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila mbështetet nga Beogradi, ka ftuar për bojkot të këtyre zgjedhje.

Për shkarkim të kryetarëve duhet të ketë së paku 50 për qind plus një votues me të drejte vote, në secilën nga katër komunat në veri të Kosovës.

Ky votim në katër komunat veriore, organizohet bazuar në udhëzimin administrativ të hartuar nga qeveria, pas presionit të bashkësisë ndërkombëtare për shpalljen e zgjedhjeve të reja në komunat në veri.

Back to top button