Hapet ekspozita “Raffaello Portraitist” në Muzeun Kombëtar të Kosovës

Në mesin e shumë vendeve të botës edhe në Kosovë është bërë hapja e ekspozitës “Raffaello Portraitist”
Në muret e Muzeut të Kosovës janë vendosur 14 portrete në përmasa origjinale të artistit italian Raffaello. Mes teknologjisë së re dhe klasikes, kjo ekspozitë po cilësohet të jetë e nivelit ndërkombëtar.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku tha se kjo ngjarje shënon një bashkëpunim kulturor mes Kosovës dhe Italisë, duke shtuar se është e rëndësishme që në vend po ekspozohen veprat e artistit botëror italian.
Çeku: Kjo ekspozitë është e nivelit ndërkombëtar
“Portretet që kemi sot këtu na sjellin dimension të paraqitjes artistike. Unë jam shumë i lumtur që si MKRS, si institucione shtetërore të kulturës edhe si Muze i Kosovës, kemi mundësi me qenë e pjesë e organizimeve të tilla dhe projekteve të rëndësishme të nivelit ndërkombëtar. Pasi që kjo është një ekspozitë lëvizëse, ka lëvizur në gjithë botën dhe do të lëvizë edhe në vende të tjera. Jemi të lumtur që jemi pjesë e një organizimi të këtillë ndërkombëtar”, ka thënë Çeku.
Zëvendësshefi i Misionit të Italisë në Kosovë, Ugo Ferrero ka thënë se kjo ekspozitë do të jetë e hapur deri më 10 tetor. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të shohin këtë ekspozitë me veprat më të rëndësishme të Raffaellos.
“Si ambasadë italiane këtu në Kosovë, në Prishtinë jemi shumë të lumtur që më në fund e kemi hapur këtë ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Kosovës, në bashkëpunim me muzeun dhe Ministrinë e Kulturës, ne mendojmë se hapja e kësaj ekspozite, duke respektuar të gjitha masat antiCovid është shumë e rëndësishme, dhe kultura duhet të fillojë.. natyrisht duke respektuar të gjitha masat, që janë në fuqi dhe duke sjellë këtu një nga kryeveprat, një nga artistët më të rëndësishëm italianë Rafaelo, me këtë ekspozitë që përfshinë klasiken dhe teknologjitë e reja, është vërtet e rëndësishme”, ka thënë ai.
Ndërsa, drejtori i Muzeut të Kosovës, Ajet Leci tha se ekspozimi i 14 portreteve në ambientet e tyre, ka rëndësi të veçantë për Muzeun e Kosovës.
“Ne me Ambasadën e Italisë kemi pasur edhe bashkëpunime të mëhershme, që besoj që këto bashkëpunime do t’i kemi edhe në të ardhmen. Ne paraprakisht biseduam me zëvendës-ambasadorin që të kemi aktivitete të përbashkëta në të ardhmen”, u shpreh ai.
Ndër portretet që bien në sy janë “Portreti i Baldassarre Castiglione” (Luvri) dhe “Portreti Zonja me njëbrirësh” (Galeria Borghese). Kjo ekspozitë është e hapur nga ora 10 e mëngjesit deri në orën 18.00.
Ekspozita është realizuar me mbështetjen e Ambasadës së Italisë në Prishtinë, Institutit italian të Kulturës në Tiranë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës. Ekspozita, e cila tashmë ka ndaluar në Tunizi, Turqi dhe Finlandë, pas Kosovës do të vazhdojë në Maqedoninë e Veriut.

Back to top button