Hapet qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Mitrovicë

“Është inovacioni, është tregtia, është ekonomia e tregut e bazuar në sektorin privat”

Një qendër e re e inovacionit dhe ndërmarrësisë ka marrë jetë sot në Mitrovicë, ku do të ketë trajnime, laboratorë, investim, hulumtim e zhvillim për studentë, mësimdhënës, afaristë dhe gjithë të interesuarit të cilët kanë ide.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke përmendur inovacionin si perspektivë për të rinjtë dhe të ardhmen e tyre me orientim evropian, ka folur edhe për debatin mes politikanëve që po zhvillohet kohët e fundit.

Sipas tij, askujt nuk i duhet një debat i tillë i brendshëm, i cili siç u shpreh ai, po krijon shqetësime tek qytetarët.

“Është inovacioni, është tregtia, është ekonomia e tregut e bazuar në sektorin privat. Kjo është perspektiva, është përgjegjësi e secilit që jeni në sallë studentë e profesorë. Kosova nuk është e askujt as më shumë as më pak, është e të gjithë neve ”, ka thënë Veseli.

Ai ka potencuar se qëllimi e të gjithëve është orientimi perëndimor i cili nuk lejon në asnjë mënyrë dhe nga askush të ketë përçarje dhe ndarje me SHBA-të.

Ministri i Financave, Bedri Hamza ka potencuar se qendra e inovacionit dhe ndërmarrësisë është një ngjarje e rëndësishme sepse të gjitha studimet e fundit kanë dëshmuar nevojën për një ndërlidhje të qëndrueshme mes universiteteve, arsimit dhe biznesit.

“Janë tre arsye kryesore që më bëjnë sot të lumtur. E para jam në qytetin tim në mesin e njerëzve që i takoj çdo ditë të cilët i respektoj dhe më respektojnë. E dyta jam në një objekt të dijes, shkencës, të rëndësisë së veçantë… dhe e treta jemi këtu sot për një ngjarje shumë të rëndësishme, përkatësisht qendrën e inovacionit dhe ndërmarrësisë…Të gjitha trendet, studimet, analizat e fundit dëshmojnë që ka nevojë për një ndërlidhje të qëndrueshme mes universiteteve, arsimit dhe biznesit”, ka theksuar Hamza.

Edhe Besim Beqaj, ministër i Inovacionit ka bërë të ditur se qendra e inovacionit bën ndërlidhjen perfekte të njohurive, përvojës dhe sfidës për të ardhmen.

“Këtu jemi sot për ta promovuar qendrën e cila bën ndërlidhjen në mënyrë perfekte të njohurive, elanit, gatishmërisë, të përvojës dhe sfidës për të ardhmen dhe kjo është qendra për inovacion në Universitetin e Mitrovicës Isa Boletini”, ka sqaruar Beqaj.

Ndërkaq, rektori i universitetit ‘Isa Boletini’ në Mitrovicë, Alush Musaj ka bërë të ditur se qendra inovative do të ndikojë në rritjen e punësimit për të gjithë.

“Sot jemi mbledhur për një ngjarje që do të ndikoj në rritjen e punësimit për studentë, mësimdhënës dhe njerëz të biznesit”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, vetë inovatori Shend Musliu ka bërë të ditur se faktori njeri dhe tërësia e burimeve  njerëzore më së miri bëjnë krijimin e qendrave të tilla innovative.

“Unë kam kaluar provimin në lëndën qeveria dhe universiteti. Shpresoj të kaloj provimin edhe në lëndën industria”, ka thënë Musliu.

Back to top button