Hapet thirrja për subvencionim të paisjeve pajisjeve efiçiente për ngrohje

Është hapur thirrja për subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, ka bërë të ditur Ministria e Ekonomisë përmes një komunikate për media.

Sipas Ministrisë, paisjet të cilat subvencionohen janë: Pompë termike, Kondicioner/ klimë efiçiente (pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë), Kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket) dhe Stufa individuale me biomasë, raporton rtv21.tv.

Përmes njoftimit të Ministrisë bëhet e ditur se , vlera e subvencionimit për një pajisje pompë termike është njëzet përqind (20%) e vlerës investive, apo deri në 2000.00 €. Kurse, për bizneset në pronësi apo në bashkëpronësi të grave nga pesëdhjetë e një përqind (51%) e tutje, vlera e subvencionimit është njëzet e pesë përqind (25%) e vlerës investive dhe deri në 2000.00 €.

Kondicioner/ klimë (pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë), vlera e subvencionimit për një pajisje është njëzet përqind (20%) e vlerës investive, apo deri në 1000.00 €. Për bizneset në pronësi apo në bashkëpronësi të grave nga pesëdhjetë e një përqind (51%) e tutje, vlera e subvencionimit është njëzet e pesë përqind (25%) e vlerës investive dhe deri në 1000.00 €.

Kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket), subvencionohet dyzet përqind (40%) e vlerës investive, dhe deri në 2000.00 €. Për bizneset në pronësi apo në bashkëpronësi të grave nga pesëdhjetë e një përqind (51%) e tutje, vlera e subvencionimit është dyzet e pesë përqind (45%) e vlerës investive dhe deri në 2000.00 €.

Ndërsa, stufa individuale me biomasë, vlera e subvencionimit për një (1) pajisje është dyzet përqind (40%) e vlerës investive dhe deri në 500.00 €. Për bizneset në pronësi apo në bashkëpronësi të grave nga pesëdhjetë e një përqind (51%) e tutje, vlera e subvencionimit është dyzet e pesë përqind (45%) e vlerës investive dhe deri në 500.00 €.

Sipas njoftimit të ministrisë, aplikimi për subvencionim është e ndarë në dy faza dhe në të dy fazat aplikimi bëhet online përmes platformës e-Kosova: https://rks-gov.net/476

Afati i fundit për aplikim për fazën e parë është deri më datën 12 dhjetor 2023 ose deri në shpenzimin e buxhetit të alokuar për këtë thirrje.

Aplikimet e pranuara në fazën e parë do të shqyrtohen bazuar në parimin “KUSH APLIKON I PARI, SHËRBLEHET I PARI” thuhet në njoftim.

Ndërsa, afati i fundit për fazën e dytë është deri me datën 10 janar 2024.

Informatat e plota të thirrjes mund t’i gjeni në linkun: https://me.rks-gov.net/wp-content/uploads/2023/11/1Draft-final-21-11-2023-NMVM-Thirrja-per-Pajisje-ngrohese-eficiente.docx

Ministria njofton se ky subvencionim është financuar nga Bashkimi Evropian (BE)./21Media

Back to top button