Haradinaj: Ajeti la gjurmë në zhvillimet shoqërore e politike të Kosovës

Sipas Haradinajt, kalimi i Ajetit në amshim humbje për kulturën mbarëshqiptare

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj vdekjen e akademikut, Idriz Ajetit e ka vlerësuar si humbje të madhe për botën shqiptare. Sipas Haradinajt, kontributi i Ajetit ishte i jashtëzakonshëm në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe të vërtetës së Kosovës.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar Facebook, Haradinaj ka shprehur ngushllimet për familjen dhe miqt e Ajetit.

“Bota shqiptare humbi sot njërin nga personalitetet më të ndritshme të historisë sonë të re, albanologun e shquar Idriz Ajetin. Gjatë 70 vjet karrierë shkencore, Akademik Ajeti la gjurmë të pashlyeshme në gjuhësinë dhe zhvillimet shoqërore e politike të Kosovës. Kontributi i tij në vitet ’90 ishte i jashtëzakonshëm në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe të vërtetës së Kosovës. Kalimi i tij në amshim është humbje për shkencën dhe kulturën mbarëshqiptare. Ngushëllime të thella familjes Ajeti, komunitetit akademik dhe miqve të shumtë” ,ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Idriz Ajeti vdiq sot në moshën 102 vjeçare. Lajmin për vdekjen e tij e bëri të ditur Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Idriz Ajeti ka lindur në Tupallë të Jabllanicës së Epërme, me 27 janar 1917. Shkollën fillore e ka kryer në Banjë të Sijarinës, të mesmen në Shkup, më 1938./21Media 

Back to top button