Haradinaj: Bashkëluftëtarë Hysni e Nasim, qëndroni të fortë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga ish-udhëheqësit e OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, që të qëndrojnë të fortë pas vendimit të trupit gjykues së Gjykatës Speciale.
Ai ka thënë se dënimin e Nasim Haradinajt e kuptojnë dhe e ndjejnë më së shumti familjarët e tij, sepse nuk janë brezi i parë që përballohen me sfida të tilla.
“Do i them pak fjalë për Nasimin. Stërgjyshi i tij, Xhemajli i parë, pjesëmarrës në shumë luftëra kundër pushtuesve u vra në Gjakovë te kulla e Abdullah Pashë Drenit, në mbrojtje të Lidhjes së Prizrenit. Gjyshi i tij, Xhemali i dytë, pjesëmarrës në të gjitha luftërat për liri. Bashkëshortja e tij, gjyshja e Nasimit, ishte bijë e Tishukëve, familje e njohur atdhetare në Dukagjin e Kosovë. Babai i tij, Smajl Haradinaj, luftëtar i paepur për të drejtën e shqiptarëve, pjesëmarrës në lëvizjet antijugosllave dhe për bashkim me Shqipërinë, i burgosur politik mbi 20 vjet. Nana Myzaqet, vëllau Naimi, motrat Shqipja e Naimja, bashkëshortja Xhejlanja, e veçanërisht vëllai i vogël Agroni që vuan nga një sëmundje e rëndë, e kuptojnë dhe e ndjejnë peshën e vendimit të sotëm, sepse nuk janë brezi i parë që përballohen me sfida të tilla. Bashkëluftëtarë Hysni e Nasim, qëndroni të fortë. Lufta për liri e shtet vazhdon!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Gucati e Haradinaj janë dënuar sot me nga katër vjet e gjysmë burgim nga Gjykata Speciale, për publikimin e dokumenteve të kësaj gjykate./21Media

Back to top button