Haradinaj bën thirrje të hiqen kufizimet për shkak të bashkatdhetarëve

2 min read

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të hiqen masat sa i përket hyrjes në Kosovë, në mënyrë që të mirëpriten bashkatdhetarët.

Përmes një postimi në Faceook ai ka thënë se duhet mirëpritur bashkatdhetarët e jo të kufizohen me masat që ekspertët thotë se po i konsiderojnë jo shkencore.

“U bë më shumë se një vit që edhe Kosova po përballet me pandeminë, ashtu sikur vendet ku jetoni e punoni ju. Fatmirësisht, në këtë fazë ne kemi shumë më pak të infektuar. Sot i bëj thirrje Qeverisë së Kosovës, që të heqin masën e ndalim qarkullimit, për të mundësuar kështu, udhëtim të lirë e të papengesa për diasporën tonë. Ne duhet t’i mirëpresim motrat e vëllezërit tanë, e jo t’i kufizojmë me masa që ekspertët po i konsiderojnë jo shkencore dhe jo të nevojshme për menaxhimin e pandemisë. Të dashur bashkatdhetarë. Mirë se vini në shtëpinë tuaj!” – ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Me ardhjen e bashkatdhetarëve në Kosovë për festat e fundvitit kanë filluar të krijohen edhe kolona në vendkalimet kufitare. Ministria e Punëve të Brendshme ka përditësuar të dhënat rreth fluksit në pikat e kalimit kufitar.

Sipas këtyre të dhënave në mëngjesin e sotëm gjendja në këto pika kufitare ka qenë e qetë dhe pritjet nuk janë të gjata.

Masat antiCOVID parashohin se çdo person i cili hyn në Kosovë duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19, certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë bashkë me dëshminë se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë)./21Media