Haradinaj deklarohet pas telefonatës me Stoltenberg

Haradinaj: Kosova do të punojë ngusht me NATO-n për ofrimin e sigurisë dhe mbrojtjes

Me miratimimin e ligjeve për transformimin e FSK-së në ushtri, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Pas komunikatës të lëshuar për media nga NATO, vjen edhe reagimi i kryeministrit të Kosovës, për këtë bisedë të zhvilluar me sekretarin e NATO-s.

I pari i Qeverisë, është shprehur i kënaqur me përkushtimin e NATO-s për të mbështetur Kosovën. Haradinaj ka deklaruar që Sekretarin Stoltenberg e ka informuar rreth miratimit të Ligjeve për Ministrinë e Mbrojtjes, mandatimin ushtarak të FSK-së dhe shërbimin e FSK-së.

Këtë kryeministri Haradinaj e ka bërë të ditur përmes një statusi të publikuar në rrjetin social, Facebook. “Me kënaqësi e informova Sekretarin Stoltenberg për miratimin e Ligjeve për Ministrinë e Mbrojtjes, mandatimin ushtarak të FSK-së dhe shërbimin në FSK. Po ashtu, e informova për veprimin konkret të Qeverisë së Kosovës në themelimin e Komitetit Ndër-Ministror për Integrimet dhe Anëtarësimin në NATO, si një zhvillim konkret për afrimin e Kosovës me NATO-n. E garantova Sekretarin Stoltenberg për transparencën e procesit të tranzicionit të FSK-së, duke shprehur vizionin tim dhe të Qeverisë për thellimin e partneritetit me NATO-n, KFOR-in, NALT-in, Programin e Ndërveprimit të Zgjeruar dhe për gatishmërinë e trupave të FSK-së për kontribut në sigurinë rajonale dhe globale.”, ka shkruar Haradinaj.


Më tutje i pari i Qeverisë ka thënë që Kosova do të punojë ngusht me NATO-n për të përmbushur kapacitetet e plota operacionale të FSK-së në mandatin ushtarak, si dhe për angazhimin e përbashkët në ofrimin e sigurisë dhe mbrojtjes.

Nga ana tjetër në komunikatën e lëshuar për media nga NATO, bëhet e ditur se Sekretari i Përgjithshëm e njoftoi Haradinajn se ndërsa mandati i FSK-së po evoluon, Këshilli Veri-Atlantik do të rishqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s me FSK-në, në vitin e ardhshëm./21Media

Back to top button