Haradinaj: Do ta pezullonim taksën, vetëm me garancë ndërkombëtare

Haradinaj ka ritheksuar vendimin e tij se taksa do të mbetet në fuqi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka ritheksuar vendimin e tij se taksa do të mbetet në fuqi. Sipas Haradinajt, derisa të mos ketë garancë ndërkombëtare që do të nënshkruhet marrëveshja përfundimtare që rezulton me njohje, taksa do të mbetet në fuqi.

Në një postim në Facebook, Haradinaj u shpreh optimist se marrëveshja gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese do të arrihet.

“Përderisa kemi vetëm sygjerime për takime dialoguese të pafrytshme, pa objektiv dhe pa afate qartë të përcaktuara, pa kontratë të paradakorduar dhe garancë ndërkombëtare, që do të nënshkruhet marrëveshja përfundimtare që rezulton me njohje, taksa vazhdon të mbetet në fuqi. Jam thellësisht i bindur për mundësinë e arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese me Serbinë, që rezulton me njohje. Ne intensivisht po punojmë për një kontratë përfundimtare, marrëveshje finale, me ç’rast edhe dorëzuam Librin e Madh me kapituj dhe Draftin e kësaj marrëveshjeje. Tërë këtë përmbajtje e kemi zhvilluar me qëllim për t’u siguruar se kur ulemi me Serbinë të kemi materie të qëndrueshme, me fakte dhe argumente.”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Sipas tij, vendosja e taksës nuk ka për qëllim pengimin dhe prolongimin e arritjes së marrëveshjes. Kreu i Qeverisë shtoi se Qeveria e Kosovës do ta pezullonte taksën, vetëm pas garancës ndërkombëtare se do të ulemi për të nënshkruar marrëveshjen përfundimtare, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke.

“Vendosja e taksës ndaj produkteve të Serbisë nuk ka për qëllim pengimin dhe prolongimin e arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese me Serbinë, që rezulton me njohje. Përkundrazi, Qeveria e Kosovës do ta pezullonte përkohësisht taksën, vetëm pas garancës ndërkombëtare, se do të ulemi për ta nënshkruar marrëveshjen përfundimtare, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke. Garanca do të thotë që ekziston një materie, kontratë e dakorduar në parim dhe pret vetëm nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, që rezulton me njohje.”, është shprehur Haradinaj.

Edhe pse vazhdimisht Bashkimi Evropian bën thirrje për heqje të taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe, Qeveria e Kosovës qëndron e vendosur se vendimi hiqet atëherë kur Serbia e njeh Republikën e Kosovës./21Media

Back to top button