Haradinaj falënderon ata që votuan AAK
Pas çertifikimit të rezultateve të zgjedhjeve ka reaguar Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai i ka falënderuar 62.111 votuesit nga Kosova e diaspora që e kanë votuar AAK-në.
Në një postimi në Facebook, ai nuk e ka përmendur postin e presidentit edhe pse garës zgjedhore të 14 shkurtit i ka hyrë me synimin për ta marrë këtë pozitë.
“Falënderoj veçanërisht, 62.111 votuesit nga Kosova e diaspora, burra e gra që i besuan Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ju, që përkundër propagandave të qarqeve të ndryshme me të cilat vazhdimisht u sulmua Aleanca, e që nuk u argumentuan asnjëherë, vazhduat të na besoni, ashtu siç e kthyem besimin tuaj me punë, duke i dhënë vendit Ushtrinë, tapitë e Trepçës, pavarësinë energjetike e shumë të tjera, vazhdoni të besoni në ne. Aleanca që gjatë tërë historisë së saj politike, ka dëshmuar konsistencë në temat e interesit nacional, do të vazhdojë njëjtë dhe besimi juaj do të rezultojë edhe me më shumë punë të mira për shtetin tonë dhe të ardhmen e ndritur të tij dhe për mirëqenien e të gjithë qytetarëve”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
KQZ ka njoftuar se pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte 48,87%, apo mbi 800 mijë votues. Sipas renditjes së vendeve në parlament, Lëvizja Vetëvendosja ka siguruar 58 deputetë. Partia Demokratike e Kosovës 19 deputetë. Lidhja Demokratike e Kosovës 15 deputetë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8 deputetë. Lista Srpska ka siguruar 10 vendet e rezervuara për ta, ndërsa 10 deputetë janë siguruar nga radhët e pakicave jo serbe. /21Media