Haradinaj flet për procesin e pa përfunduar në Francë

”Unë s’kam asnjë vështirësi ligjore me askë, pos me Beogradin”

Kryetari i AAK-së dhe njëherësh kandidat i koalicionit të PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj lidhur me arrestimin e tij nga gjykata e Francës është shprehur se ky proces ende nuk ka përfunduar.

Ai në një intervistë për DW ka thënë se problem është Beogradi. ”Jo, ende nuk e kam përfunduar, sepse burimi i problemeve ka qenë dhe mbetet në Beograd. Unë s’kam asnjë vështirësi ligjore me askë, pos me Beogradin dhe siç kam thënë në të kaluarën, nuk i përfilli dhe nuk i respektoj ata”, tha Haradinaj .

Ndërsa, i pyetur se çka u ofron qytetarëve të Kosovës si kandidat për kryeministër?, Haradinaj tha se sfida kryesore e tyre mbetet krijimi i vendeve të punës.

”Ne kemi nevojë që të rikthejmë besimin tek insitucionet. Kjo mund të ndodhë vetëm duke e forcuar shtetin ligjor. Në radhë të parë, pra rend dhe ligj, prokurorë, gjyqtarë, dhe gjyqe që u beson qytetari. Mirëpo, lufta jonë kryesore, sfida jonë, mbetet krijimi i vendeve të punës dhe këtë e mendojmë duke u fokusuar kryesisht tek sipërmarrësit vendorë të vegjël dhe të mesëm, të cilët janë një ushtri e madhe në Kosovë – janë mbi 60 mijë që kanë aktivitete ekonomike, që kanë njerëz të punësuar. Por ata tani ndjehen të vetmuar në Kosovë”, tha Haradinaj./21Media

Back to top button