Haradinaj: I madh, i vogël, jemi me familjen e Demajt

Iu dha lamtumira e fundit policit Izet Demaj

Mijëra njerëz po marrin pjesë në varrimin e policit, Izet Demaj i cili mbeti i vrarë në një aksion kundër grabitjes së një banke në Istog.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në fjalimin e tij në ceremoninë e varrimit të policit, Izet Demaj tha se ai i ka dhënë Kosovës nder, jo vetëm si polic, por edhe ushtar i lirisë.

“Është moment ndryshe, sa herë kemi ardhë këtu kemi folur për lavdi të ushtarëve. Policia është storie suksesi. Policia nuk e ka pasur të lehtë këto 20 vjet, ai për ta kthyer rendin ka qenë i sfiduar. Rasti i Demajt qe u detyrua me mbrojt ligjin është porosi që ne nuk guxojmë kurrë ta lëmë vetë policinë. Policia s’mund ta kryejë punën pa popullin. I madh, i vogël, jemi me familjen e Demajt. Nuk do të lejojë asnjëherë që rendin dhe ligjin ta marrin kriminelët. Nuk guxojmë ta lejojmë”, tha Haradinaj.

Ai përseriti se  Policia e Kosovës do të përkrahet gjithmonë.

“Lavdi veprës së policit hero, Izet Demaj”, tha tutje.

Ndërsa, Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj tha se sot nuk është ditë e zakonshme.

“Po ndahemi nga një koleg, prind, shok shumë i çmuar. Një person që dha shumë kontribut. Është e vështirë të gjejë fjalë një epror për policin e tij. Rënia e tij shfaq punën e Policisë që është e gatshme të përballet me sulmet që rrezikojnë sigurinë. Jeta e tij fizikisht ndaloi për shkak të punës, por ideali i tij do të jetësohet. Demaj tani do të jetë pjesë e atyre që kryejnë misionin e policisë”, u shpreh Qalaj.

Polici Demaj mbeti i vrarë të enjten në Istog, pas një shkëmbimi me armë më grabitësin, Kamer Metaj, i cili gjithashtu ka mbetur i vrarë në vend. Me kërkesë të Prokurorisë janë arrestuar edhe dy të afërm të grabitësit, njëri nga ta vëllai, me dyshimin se i kanë ndihmuar në kryerjen e veprës së grabitjes.

Pas vrasjes së policit, presidenti i vendit e ka shpallur ditën e sotme, ditë zie./21Media

Back to top button