Haradinaj: Jasharajt i dhanë emër sakrificës për liri

(Lajm i përditësuar)
Ish komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit dhe njëherësh kryetari AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar 22 janarin e vitit 1998, sulmin e dytë të forcave serbe ndaj familjes Jashari në Prekaz.
Haradinaj tha se armiku gjithëherë u kthye me turp nga Prekazi.
“22 janari 1998, për familjen Jashari të Prekazit nuk ishte ditë e zakonshme. Atë ditë, baci Shaban me tërë familjen i rezistuan sulmeve të armikut, në sulmin e dytë që iu bë kësaj familjeje emblematike të kombit tonë. Rezistenca dhe trimëria e tyre, frymëzoi edhe më shumë shqiptarët për luftë deri në çlirim. Jasharajt i dhanë emër sakrificës për liri. Kjo familje gjithmonë u nda me lavdi, e armiku gjithëherë u kthye me turp nga Prekazi. Lavdi të rënëve për liri”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Kurti kujton sulmin e dytë të policisë serbe në Prekaz: Përkulje me nderime të thella për qëndresën e Jasharëve
Në 25 vjetorin e sulmit të dytë të forcave të Serbisë mbi Jasharajt, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar se atë kohë sikur edhe më pas, autoritetet e Serbisë e mohuan plotësisht kryerjen e këtij aksioni nga ana e tyre dhe krimet e pasojat që lanë pas.
Në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se në kronologjinë historike të Prekazit dhe Kosovës, ky ishte sulmi i dytë i Serbisë mbi shtëpinë e kundër familjes së Shaban Jasharit dhe djemve të tij Hamzës e Ademit.
“Por media vendore dhe shumë të tjera ndërkombëtare, bën reportazhe dhe morën intervista nga Prekazi, duke e dëshmuar historinë e sulmit të policisë së Serbisë, më 22 janar 1998, mbi familjen Jashari. Në kronologjinë historike të Prekazit dhe Kosovës, ky ishte sulmi i dytë i Serbisë mbi shtëpinë e kundër familjes së Shaban Jasharit dhe djemve të tij Hamzës e Ademit. Një muaj e gjysmë më pas, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, ata u rrethuan siç u rrethua edhe gjithë Prekazi, në sprovën e madhe përballë shumë qindra policëve të Serbisë, ku Jasharët e Prekazit rezistuan duke e kthyer kahjen e historisë në atë rrugë që e solli lirinë e Kosovës. Përkulje me nderime të thella për qëndresën e Jasharëve të Prekazit, duke kujtuar sulmin e dytë të policisë serbe mbi ta, më 22 janar 1998, në këtë përvjetor të 25-të të tij”, ka shkruar ndër tjera Kurti./21Media
 

Back to top button