Haradinaj kërkon ndriçimin e rastit të të miturës

Mbledh përfaqësuesit e rendit dhe sigurisë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të ndriçojnë rastin e të miturës nga Drenasi, e cila është viktimë e përdhunimit që dyshohet të jetë kryer nga një mësimdhënës dhe një polic. Lidhur me këtë Haradinaj ka pritur sot në takim ministrin e Brendshëm Ekrem Mustafa, Ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqi, Drejtorin e përgjithshëm të Policisë Rashit Qalaj, Kryeshefen e Inspektoratit Policor Miradie Kelmendi dhe Kryeinspektorin e Arsimit Defrim Gashi.

“Kërkova që të ndërmerren të gjitha veprimet, bazuar në ligjet e Kosovës, për ta zbardhur të vërtetën dhe për t’i nxjerrë para drejtësisë, të gjithë ata që kanë kryer vepër të jashtëligjshme në rastin e të miturës nga Drenasi.”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Më tej kreu i ekzekutivit ka kërkuar që ky rast të trajtohet në kohë dhe me profesionalizëm nga të gjitha institucionet e vendit.

“Institucionet e vendit, Prokuroria dhe Gjykata, duhet të dëshmojnë fuqinë e vet në zbatim të ligjit. Rasti i abuzimit seksual të të miturës nga Drenasi, duhet të trajtohet në kohë dhe me profesionalizëm nga të gjitha institucionet e vendit. Njëkohësisht, kërkoj nga të gjitha mekanizmat institucional dhe shoqëror, që të bashkërendojnë politikat dhe aktivitetet, me qëllim të parandalimit të rasteve të tilla në të ardhmen.”, ka bërë të ditur Haradinaj.

Të martën në media u raportua se e mitura nga Drenasi ishte keqpërdorur seksualisht nga profesori SH. XH dhe nga hetuesi policor V. V, ky i fundit e kishte lënë shtatzënë të miturën e pastaj e kishte detyruar që të abortojë.

Pas raportimit të ngjarjes ishte arrestuar zyrtari policior me inicialet V.V, ku dje i njëjti ka dalë para gjykatës. Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për policin e dyshuar. Gjithashtu dje janë arrestuar edhe mësimdhënësi dhe gjinekologu, që dyshohet se janë të përfshirë në këtë rast.

Me moton “PRO Mësimit, JO Përdhunimit” po mbahet protesta e organizuar nga Shoqëria Civile e Drenasit. Fillimisht protestuesit po qëndrojnë para gjimnazit “Gjergj Kastriot Skëndërbeu”, e protesta do të vazhdojë te Stacioni i Policisë në Drenas./21Media

Back to top button