​Haradinaj kërkon nga Escobar ngritjen e nivelit të marrëdhënieve Kosovë-SHBA

 (Lajm i përditësuar)

Haradinaj kërkon nga Escobar ngritjen e nivelit të marrëdhënieve Kosovë-SHBA

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj është deklaruar për takimin që opozita kishte sonte me emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se vizita e ndihmës asistentit të sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë vjen në një moment të rëndësishëm për Kosovën dhe rajonin.

“Shfrytëzova rastin të falënderoj Escobar për angazhimin e tij përgjatë gjithë kohës në forcimin e marrëdhënieve të Kosovës me ShBA-të, njëkohësisht në angazhimin e tij në procesin e dialogut.

Kërkova të ngrihet niveli i marrëdhënieve biletarale Kosovë-SHBA. Ka progres, por theksova se është shumë e nevojshme që agjenda e shtetit të Kosovës të shtyhet përpara me përgjegjësi të lartë shtetërore dhe institucionale drejt anëtarësimit në NATO si dhe qeveria të jetë në bashkëpunim të plotë me aleatin tonë strategjik dhe të përjetshëm, SHBA-të”, ka shkruar Haradinaj.

Krerët e PDK, LDK dhe AAK, kanë mbajtur sonte një takim me emisarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor në Rezidencën e ambasadorit të SHBA-së Jeffrey Hovenier në Prishtinë, pa praninë e mediave.


Krasniqi jep detaje nga takimi i opozitës me Escobar

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka dhënë detaje nga takimi që tre liderët e opozitës kishin sonte me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në rezidencën e ambasadorit Jeffrey Hovenier.

AI ka theksuar se komunikimi me aleatët strategjikë, është jo vetëm i mirëseardhur dhe i frytshëm, por edhe i domosdoshëm për t’i avancuar interesat e Kosovës.

“Nisur nga ky qëllim, sonte, në rezidencën e ambasadorit Hovenier zhvilluam një darkë pune me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Bashkë shkëmbyem qëndrimet për zhvillimet aktuale politike në vend dhe vizionin për një të ardhme më prosperuese për popullin dhe shtetin tone”, ka shkruar ai në Facebook.

“Kosova, çdo fitore dhe çdo sukses në rrugën e çlirimit, pavarësisë dhe shtet=ndërtimit e ka arritur me SHBA-të, prandaj, partneriteti ynë është i pa alternativë edhe në rrugën e së ardhmes drejt integrimit euro-atlantik”, ka shtuar Krasniqi.

Në takim përveç kryetarit të PDK-së Memli Krasniqi, ishin edhe Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së dhe Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.


Liderët e opozitës takojnë Escobar

Krerët e partive politike opozitare, PDK, LDK dhe AAK, kanë mbajtur sonte një takim me emisarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Takimi në Rezidencën e ambasadorit të SHBA-së Jeffrey Hovenier në Prishtinë është mbajtur pa praninë e mediave.

Escobar ndodhet për vizitë në Kosovë, ku gjatë ditës është takuar me presidenten Vjosa Osmani.

Diplomati amerikan ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës që Manastirit të Deçanit t’i jepen tokat, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ai ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, derisa nënvizoi se nuk po i kërkohet vetëm Kosovës të marrë vendime të vështira në kuadër të kësaj ujdie, por edhe Serbisë.

Escobar gjatë ditës ka vizituar edhe selinë e KFOR-it në Prishtinë së bashku me ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier.

 


Escobar në takim me liderët e opozitës

Aktualisht është duke u zhvilluar takimi mes Emisarit special të SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Gabriel Escobar, me liderët e partive opozitare të Kosovës.

Takimi ka nisur në orën 19:00 në Rezidencën e Ambasadorit të ShBA-së, Jeffrey Hovenier.

Escobar sot gjatë ditës është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani./21Media

Back to top button