Haradinaj kërkon sqarime nga BQK për ndryshimin e tarifave të sigurimeve

Haradinaj i shkruan letër Guvernatorit të BQK-së

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i është drejtuar sot përmes një letre Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, për të kërkuar nga ai informata të detajuara lidhur me vendimin e këtij institucioni për ndryshimin e tarifave të sigurimeve.

Dje, kam kuptuar përmes mediave për vendimin e Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës lidhur me ndryshimin e tarifave të sigurimeve. Duke u mbështetur në Nenin 32, pika 4 të Ligjit për Bankën Qendrore të Kosovës dhe duke marrë për bazë reagimet e shumta të qytetarëve lidhur me këtë vendim, kërkoj nga ju një informatë të detajuar lidhur me arsyeshmerinë e këtij vendimi si: baza ligjore, rrethanat ekonomiko-financiare të operimitë të kompanive të sigurimeve në Kosovë, problemet dhe faktorët në bëzë të të cilave Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës e ka marrë një vendim të tillë. Pres një përgjigje sa më të shpejtë që të jetë e mundur”, thuhet në letrën e kryeministrit në detyrë Haradinaj drejtuar Guvernatorit Mehmeti.

Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për ngritjen e çmimeve 26% për sigurimin e automjeteve ka ngjallur reagime në Kosovë, me qytetarët të cilët shprehen se ky vendim është i padrejtë dhe i papërballueshëm. Për të kundërshtuar këtë vendim dhjetëra qytetarë kanë protestuar sot para Bankës Qendrore të Kosovës. Pas takimit me guvernatorin e  BQK-së protestuesit kanë thënë se janë  dakorduar që kërkesat e tyre t’i dorëzojnë të hënën dhe brenda tri ditëve do të marrin përgjigje./21Media

 

Back to top button