Haradinaj: Kosova nuk e ka komoditetin të bëjë eksperimente

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh dhe deputet, Ramush Haradinaj, thotë se Kosova nuk e ka komoditetin të bëjë eksperimente.
Sipas tij, operacionet e sigurisë për shtrirjen e sovranitetit, duhet të studiohen, të analizohen e të shpjegohen mirë.
“Çdo veprim i lënë në gjysmë të rrugës, siç ishte ai i mbrëmshmi, është humbje për Kosovën. Zbatimi i rendit dhe ligjit është i pa alternativë dhe duhet të bëhet në konsultim të ngushtë me aleatët e sigurisë”, tha Haradinaj.
Kreu i AAK-së theksoi se afati prej 30 ditësh për zbatimin e reciprocitetit duhet të shfrytëzohet me shumë seriozitet.
“Shteti i Kosovës nuk dobësohet vetëm nga bandat kriminale në veri, por edhe nga të paditurit e praktikantët në qeveri. Kushtetuta e vendit është më e fortë sesa kriminelët në veri, e të paditurit e praktikantët në qeveri. Qeveri, nëse hala je qeveri, voto ligjet e forcoje Policinë, ligjn për paga dhe ligjet për sigurim shëndetësor e pensional. Nëse s’je qeveri, do të shihet me 31 gusht”, theksoi Haradinaj.
Qeveria e Kosovës mbrëmë ka shtyrë për 30 ditë zbatimin e masës së reciprocitetit.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i ka kërkuar Qeverisë që të shtyjë për 30 ditë zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumentet serbe. Ai i ka bërë këto deklarata pasi serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë dhe me mjete tjera, rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak./21Media

Back to top button