Haradinaj: Kosova të ndjekë shembullin e Kroacisë

Haradinaj takohet me homologun e tij kroat

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në kuadër të Konferencës së 55-të të Sigurisë e cila po i zhvillon punimet e saj në Munich të Gjermanisë, sot u takua me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe rajon.

Gjatë takimit, Haradinaj ka vlerësuar se raportet miqësore ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë janë tradicionale, dhe Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që këto raporte bilaterale të thellohen edhe në fusha tjera të interesit të përbashkët, veçanërisht në fushën e zhvillimit ekonomik dhe të procesit të integrimeve euroatlantike.

“Kroacia si anëtare e BE-së dhe NATO-s, është shembull i mirë që duhet ndjekur nga Kosova në procesin e integrimeve euroatlantike”, tha Haradinaj, duke vlerësuar se mbështetja e Kroacisë për Kosovën në rrugën e saj euroatlantike dhe të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar është e rëndësishme për vendin.

Haradinaj e ka njoftuar Plenkoviq, për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, në zhvillimin ekonomik, forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit dhe për zhvillimet e përgjithshme në vend, në të njëjtën kohë ka ftuar bizneset kroate që të investojnë në Kosovë, pasi është krijuar klimë e favorshme investuese.

Sipas një komunikate për medie, ndër temat e takimit, ishte edhe dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, për të cilën i pari i ekzekutivit shprehu besimin se arritja e një marrëveshje ligjërisht obligative dhe njohja reciproke do të jetë faktor i rëndësishëm i stabilitetit jo vetëm për të dy vendet por edhe rajonin në përgjithësi.

Ndërsa, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, vlerësoi marrëdhëniet e mira bilaterale ndërmjet dy vendeve tona, duke thënë se Kroacia do të vazhdojë të jap kontributin e saj në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe procesin integrues euroatlantik të Kosovës.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli./21Media

Back to top button