Haradinaj kujton vëllain Shkëlzenin dhe bashkëluftëtarët në përvjetorin e rënies

Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, ka kujtuar dëshmorët Hasim Halilaj, Luan Nimanaj, Fatmir Nimanaj e Shkëlzen Haradinaj.

Ai tha se 16 prilli 1999 ishte njëra ndër ditët më kritike të luftës për liri.

“16 prilli 1999 ishte njëra ndër ditët më kritike të luftës për liri. Ato ditë lufte, armiku duke e nuhatur humbjen që po i vinte pashmangshëm nga frontet e luftës, u përpoq që egërsinë dhe mllefin ta shfryejë ndaj popullatës civile. Të betuar të luftojnë deri në vetëflijim që shqiptarët të jetojnë të lirë, ranë heroikisht; Hasim Halilaj, Luan Nimanaj, Fatmir Nimanaj e Shkëlzen Haradinaj. Me guximin e tyre të pashoq ata nuk kursyen asgjë nga vetja, iu kundërvyen armikut për t’i dalë në mbrojtje popullatës civile duke u bërë frymëzim për bashkëluftëtarët e tjerë për ta çuar luftën triumfalisht deri në fund” ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Haradinaj bashkë me bashkëluftëtarë e miq, bëri homazhe dhe morën pjesë në “Marshin e Lirisë”, nga Kulla e deshmorëve në Gllogjan deri në Maznik te Lapidari i Heronjve.

“Sot, në Gllogjan e Maznik, në nder të 24 vjetorit të rënies së Heronjëve Shkëlzen Haradinaj, Fatmir Nimanaj, Hasim Halilaj dhe Luan Nimanaj, si dhe 18 vjetorit të rënies së luftëtarit të lirisë Enver Haradinaj, bashkë me bashkëluftëtarë e miq, zhvilluam homazhe dhe morëm pjesë në “Marshin e Lirisë”, nga Kulla e deshmorëve në Gllogjan deri në Maznik te Lapidari i Heronjve. Heroizmi i tyre është trashëgimi e jona historike. Pavdekësia e tyre ecën përkrah lirisë, thirrjes të së cilës i qëndruan gjithmonë gatitu. Pushofshin të qetë në lavdi të përjetshme”, tha Haradinaj./21Media

Back to top button