Haradinaj: Kurti me mision për shkatërrimin e shtetit, ua përgjysmoi pagat gjyqtarëve e prokurorëve

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti, ka marrë mision shkatërrimin e shtetit.
Haradinaj këtë reagimin e bëri pas shfuqizimit të vendimit nga ana e Qeverisë së Kosovës, i cili ua kthen pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve ashtu siç i kishin para se t’i merrnin me rritje.
“Pas shkaktimit të rrezikut në veri, ngecjes në dialog dhe prishjes me amerikanët, sot ka vendosur ta shkatërrojë sistemin e drejtësisë. Me vendimin e qeverisë që të shfuqizohet vendimi im për rritjen e pagave për gjyqtarë dhe prokurorë, nga sot drejtësia do të punojë me paga të përgjysmuara”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ai ka ftuar kryeministrin Kurtin që menjëherë të kthejë pagat e Prokurorëve dhe Gjyqtarëve në nivelin që kanë qenë.
“Prokurorët dhe Gjyqtarët që çdo ditë mbrojnë shtetin dhe drejtësinë, sot janë goditur nga Kryeministri i shkatërrimit. Ftoj Kurtin që menjëherë të kthejë pagat e Prokurorëve dhe Gjyqtarëve në nivelin që kanë qenë sepse përndryshe mund të shkatërrohet nga brenda njëri prej segmenteve më të rëndësishëm të një shteti, drejtësia. Nëse nuk ndalesh pasojat do të jenë të pariparueshme!”, është shprehur ai.
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme ka shfuqizuar vendimin e ish-Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët në vitin 2017. Kryeministri Kurti tha se pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kthehen në lartësinë e rregullimit juridik të mëparshëm para datës së hyrjes në fuqi të vendimit për ngritjen e pagave të kabinetit qeveritar, rrjedhimisht edhe këtyre institucioneve të drejtësisë./21Media

Back to top button