Haradinaj-Kurtit: S’mund t’i vendosesh afate KFOR-it

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që t’i largojë serbët nga barrikadat e vendosura në veri të vendit.
Në një konferencë për medie, Haradinaj ka thënë se barrikadat nuk e ndihmojnë dialogun dhe se sipas tij, ato janë vetëm interes i presidentit rus, Vladimir Putin.
Ai ka shtuar se deklarimet dhe veprimet e pamatura të kryeministrit Albin Kurti dhe të njerëzve të tij, veç sa e kanë komplikuar situatën.
Sipas tij, s’mund t’i vendosen kurrfarë afatesh KFOR-it, ngase misioni i tyre është i qartë dhe i pastër si loti.
“Platforma luftënxitëse e Vuçiqit dhe njerëzve të tij të instaluar në veri, po i kalon vijat e kuqe. Ai duhet urgjentisht t’i tërheq njerëzit e tij nga veriu dhe urdhërojë heqjen e barrikadave e t’i kthehet tryezës së bisedimeve. Ai nuk mund ta sfidojë Kosovën e përcaktuar për paqe. Logjika që me mjete ushtarake të krijohet pozicion më i fortë për marrëveshjen për njohje të ndërsjellë në raport me Kosovën, është kapitull që është mbyllur në vitin 1999. Nuk mund t’i vendosen kurrfarë afatesh KFOR-it. Misioni i tyre në Kosovë është i qartë dhe i pastër si loti. Palë në Kosovë nuk janë as Uashnigtoni e as Brukseli”, ka thënë ai.

Më 27 dhjetor në veri të Kosovës u ngritën edhe dy barrikada të reja. Disa serbë lokalë kanë nisur ngritjen e barrikadave qysh më 10 dhjetor, pas arrestimit të një ish-polici serb të Kosovës.
Autoritetet në Kosovë kanë thënë se Dejan Pantiq dyshohet se ka organizuar sulmin e 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri./21Media

Back to top button