Haradinaj: Letra e liderëve dërguar KE-së përfshin obligime, s’është formalitet

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se letra të cilët krerët shtetërorë ia kanë dërguar raportueses së KE-së, Dora Bakojanis mund të jetë standard para aplikimit për anëtarësim, por sipas tij nuk mund të cilësohet formalitet.

Haradinaj ka shkruar në “Facebook” se gama e zotimeve në atë letër është shumë e gjerë dhe përfshinë obligime konkrete.

Sipas tij, liderët shtetërorë zotohen se do të zbatojnë të gjitha nenet e marrëveshjeve të Brukselit e Ohrit, duke përfshirë edhe Asociacionin.

“Pyetja është, pse kanë pasur nevojë që deri me tash ta zhagisin zbatimin e kësaj marrëveshjeje e të thonë herë e zbatojmë herë nuk e zbatojmë”, ka shkruar ai.

Haradinaj ka potencuar se në letër thuhet se liderët institucionalë zotohen se “do të respektohet pavarësia e gjyqësorit dhe do të hiqet dorë nga kritikat e tepruara ndaj gjyqësorit”. Kjo, sipas tij i bie që ata do të heqin dorë nga diçka që e kanë aplikuar deri me tash.

“Aty thuhet ‘Të përmbahemi nga përdorimi i policisë speciale në veri të Kosovës për detyra të zakonshme policore e të sigurohemi se ato dislokohen vetëm në rast nevoje’, që i bijën se deri me tash nuk e kanë zbatuar këtë standard që aq shpesh është kërkuar nga aleatët tanë. Zotohen për shpronësimet në veri; Për mbrojtjen e pronave të Kishës Ortodokse Serbe; Për integrimin e pakicave; për gjuhët e tyre, shkollimin tekstet … e kështu me radhë”, ka shkruar Haradinaj.

Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është ngjarje e madhe dhe hap i rëndësishëm drejt integrimit në BE dhe sipas tij, letra e zotimeve drejtuar Bakojanis përfshihet në këtë kuadër, por ka thënë se është e habitshme se si liderët institucionalë të Kosovës, deri me tash kanë shpërfillur kërkesat e njëjta nga nivele shumë të larta të SHBA-së dhe BE-së, duke shtuar se “për këtë sot jemi edhe nën sanksione, edhe në marrëdhënie shumë të acaruara me ShBA e BE, edhe të detyruar t’i përsërisim zgjedhjet në veri, edhe të merremi me dinarin, edhe në pozitën më të keqe të mundshme në procesin e dialogut me Serbinë”.

Back to top button