Haradinaj: Llapi më i ekspozuari ndaj rreziqeve të sigurisë, ne në NATO – armiqtë larg nesh

Kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka theksuar se anëtarësimi i drejtpërdrejtë i Kosovës në NATO është një objektiv i palëkundur i AAK-së dhe prioritet kombëtar.
Referuar tubimit të sotëm të këtij subjekti në Podujevë, Haradinaj i cili gjendet në SHBA, ka vënë në pah rreziqet që i kanosen rajonit të Llapit, duke pasur Serbinë si fqinj të parë.
”Ne në NATO – armiqtë larg nesh. Llapi, që e ka hasmin në kufi, është më i ekspozuari ndaj rreziqeve të sigurisë. Me pasë fqinj të parë Serbinë, është sfidë. Prandaj, anëtarësimi direkt në NATO, që është përcaktim yni i palëkundur, është zhvillimi e siguria e përhershme, jo vetëm për Llapin por për krejt Kosovën. Për një Kosovë Fituese 137 Faleminderit Podujevë!”
E kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini ka thënë se ëndrrën për Kosovën e lirë e fituese, ta vazhdojnë ende, duke e votuar kështu AAK-në me partnerët e koalicionit.
“Është kënaqësi e madhe me qenë në Llap. Prej një maje mali në Gjakovë, e shoh krejt Kosovën. Unë e di sa të mëdhenj jemi në zemër, por është vend i vogël me mbërri me na nda dikush”, tha Gjini.
“Ju, sikurse unë që e shohim Kosovën prej asaj majës së malit, e kem pasur një ëndërr për Kosovën, dhe e kemi një ëndërr për Kosovën. Ajo ëndërr ka nisur më herët sesa disa mendojnë. Ajo ëndërr ka nisur sikur na prej Gjakovës, edhe ju prej Llapit e Podujevës kemi shkuar në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ edhe jemi rrëqethur kur e kemi kënduar ‘Besa-Besë’, secili prej nesh. Nuk e kemi kënduar veç pse ka fitu Prishtina e Fadil Vokrri, por ne besa-besë edhe atë fitore në gjakun tonë, në lëkurën tonë e kemi pasur fitoren e Kosovës, e kemi parë ëndërr që Kosova një ditë ka me qenë e lirë, e pavarur, demokratike. E kemi dashur. Ajo fitore nga ka sjell deri te Pavarësia e Kosovës. Unë ju them mos me heq dorë prej asaj ëndrre”.
“Para katër vjetëve, çdo i dyti qytetarë i Kosovës e ka votuar një parti që sot është në pushtet. Ata njerëz i kanë besuar. Ata njerëz janë njerëzit tanë. Kjo nënkupton se ata i kemi vëllezër, motra, kusherinjë, fqinj, kolegë. Ata nuk janë të këqij. Janë njerëz të mirë. Është punë e juaja që me bisedu me këtë vëllezër e motra ‘a po ju duket që është mirë Kosova, në binarët që e ka qit qeveria aktuale’. Nuk është mirë”.
Tutje ai u ka bërë thirrje qytetarëve të mos e dorëzojnë votën aty ku s’duhet.
Atje, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri tha se Llapi i Zahir Pajazitit, Adem Demaçit, Ali Ajetit e Fadil Vokrrit nuk e duron e as nuk e pranon fyerjen e vlerave çlirimtare, izolimin e Kosovës e kufizimin e lirisë së vendit.
“Të dashur llapjanë, sot jemi bashkë këtu për një fitore të madhe më 9 shkurt. Llapi i Zahir Pajazitit, që bashkë me bashkëkohësit e tij, kryekomandantin legjendar, Adem Jasharin, Shkëlzen e Luan Haradinaj dhe mijëra heronj të tjerë të gjallë, të rënë për lirinë tonë, nuk duron fyerjen e vlerave çlirimtare të ushtrisë tonë çlirimtare”.
“Llapi dhe llapjanët e Adem Demaçit, e Ali Ajetit, që nuk njohën frikën as në burg, e as në liri, nuk pranon regjimin që kufizon liritë tona”, tha Tahiri.
“Llapi i Fadil Vokrrit, që nuk la derë pa trokitur për të futur Kosovën në arenën ndërkombëtare të futbollit, nuk pranon askënd që me teke e me injorancë na i mbyll dyert dhe na e izolon Kosovën”.
“Llapi është zemërgjerë. Të jep mundësi. Por po ashtu dinë me të thënë stop kur dikush e tepron”.
Tahiri shton se Kosova meriton lidership të mençur, dhe se koha për të ju thënë jo njerëzve të pazotë ka ardhur.
“Kosova sot e meriton një lidership që guxon. Pra një lidership të mençur, që me përkrahjen e miqve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës di të marr vendime me peshë historike”.
“Mashtruesit nuk kanë dyer për të duartrokitur, nuk hapin rrugë të reja sepse nuk dinë të ecin përpara, dinë vetëm të mashtrojnë”, tha deputeti.