Haradinaj: Luan, mbete gjithmonë i ri!

Vëllai i heroit Luan Haradinaj, Ramushi, sot ka kujtuar të vëllain në 48 vjetorin e lindjes. Përmes një imazhi me Luanin, Ramushi ka theksuar se Luani mbeti gjithmonë i ri.
Heroi Luan Haradinaj është lindur më 17 nëntor të vitit 1973 në Gllogjan të Rekës, përkatësisht të Deçanit. Luan Haradinaj kishte rënë në njërën prej betejave të para të UÇK-së kundër forcave pushtuese serbe, më 6 maj 1997, në kufirin shqiptaro -shqiptar.
Beteja disa orësh me forcat serbe, derisa ishte duke e udhëhequr një ekspeditë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rrugën për të hyrë në Kosovë, i kishte marrë jetën njërit nga djemtë e familjes Haradinaj. Në atë ditë, Luan Haradinaj, bashkë me të vëllain Ramush Haradinaj dhe grupin e përbërë nga Fehmi e Xhevë Lladrovci, Selim Krasniqi e Ramiz Lladrovci, Abedin Rexha e Ilaz Kodra, Rafet Rama e Gani Rama, Emrush Xhemajli dhe Ali Ahmeti, ishin nisur për në Kosovë.
Trupi i Luan Haradinajt kishte pushuar në Vlanë deri në çlirimin e Kosovës. Pas çlirimit, trupi i tij ishte rivarrosur në Varrezat e dëshmorëve të kombit në vendlindje, në Gllogjan të Rekës, ku prehet i qetë, së bashku me 20 dëshmorët e vendlindjes./21Media

Back to top button