Haradinaj: Masakrat ndaj civilëve janë tregues i çmimit të lartë për lirinë që e gëzojmë sot

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kujtuar sot masakrat në Qyshk, Pavlan, Zahaq e Llabjan në përvjetorin e tyre.

Haradinaj ka thënë se këto masakra janë tregues i çmimit të lartë për lirinë dhe shtetin.

“Martirët janë dhembje e krenari dhe kujtimi e nderimi për ta forcon themelet e shtetit tonë. Masakrat ndaj civilëve të pafajshëm në Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Llabjan janë tregues i çmimit të lartë për lirinë dhe shtetin që e gëzojmë sot”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se drejtësia për këto krime duhet të vendoset sa më parë.

“Drejtësia për këto krime duhet të vendoset sa më parë, nderimi për të rënët mbetet obligim i yni e vepra e tyre, udhërrëfyes në punën tonë të përditshme”, është shprehur Haradinaj.

Sot mbushen 24 vjet nga Masakra e Qyshkut, në të cilën forcat pushtuese kriminale serbe kanë vrarë dhe masakruar barbarisht 44 burra.

Back to top button