Haradinaj në 11 vjetorin e lirimit nga Haga: Tani besoj që do të vërtetohet pafajësia e bashkëluftëtarëve të mi

Sot janë bërë njëmbëdhjetë  vjet kur Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ka shpallur të pafajshëm Ramush Haradinajn, Lahi Ibrahimaj dhe Idriz Balaj. Vendimi i Gjykatës së Hagës liroi nga të gjitha akuzat ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për këtë sot ka reaguar Ramush Haradinaj përmes një postimi në Facebook.

Ai ka kujtuar kohën kur nisi i gjithë procesi gjyqësor ndaj tij.

“Më 17 nëntor 2004 pata dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit, për t’u paraqitur për intervistim para prokurorëve të Hagës në Prishtinë, si i dyshuar për krime lufte dhe thyerjen e ligjeve dhe rregullave të luftës. Pas marrjes së aktakuzës së parë, filloi një proces i gjatë gjyqësor. Që nga ajo ditë e deri më 29 nëntor 2012, zgjati ndjekja ligjore ndaj meje. Edhe pse në aktgjykimin e parë u lirova si i pafajshëm, pas disa vjetësh jam rikthyer për herë të dytë në rigjykimI gjithë ky proces gjyqësor zgjati më shumë se 8 vjet, ku përfundimisht sot para 11 vjetësh, mora aktvendimin e pafajësisë i cili vulosi pafajësinë time dhe të bashkëluftëtarëve të mi, për luftën e drejtë dhe të pastër të UÇK-së.”, ka shkruar Haradinaj.

Më tej ai ka shtuar se nuk ishte i vetëm gjatë asaj periudhe pasi që kishte pranë ebashkëluftëtarët, gjithë qytetarët e diasporën,” por edhe institucionet tona, edhe pse në pjesën e parë nuk ishim shtet i pavarur.”

“Edhe atë kohë kishim ndjenjën që drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, por megjithatë kur erdhi ishte lehtësim i madh, çlirim nga padrejtësitë që ndodhën gjatë procesit. Po ashtu sot besoj që do të vërtetohet pafajësia dhe pastërtia e bashkëluftëtarëve që janë duke u përballë me sfidën e radhës në Hagë. Ata shkuan si çlirimtarë atje, ashtu do të kthehen!”, ka shkruar Haradinaj./21Media

Back to top button