Haradinaj: Ne si Kosovë e kemi shkëputur komunikimin me UNMIK-un

Sipas kryeministrit, tensionet Kosovë-Serbi janë si rezultat i luftës

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë edhe një herë se në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë nuk do të preket territori i Kosovës.

I pyetur nëse taksa ka ngritur tensionet mes këtyre dy vendeve, Haradinaj ka thënë se tensionet Kosovë-Serbi janë si rezultat i luftës së fundit.

Këto deklarata Haradinaj i ka bërë gjatë vizitës në fabrikën e çipsave “Vipa”, me ç’rast është takua me pronarin e kësaj fabrike, Bedri Kasumi.

“Ne si Kosovë i kemi shkëputur komunikimin me UNMIK-un, nuk po komunikojmë më me ta, ata i shkruajnë këto letra, pra njerëzit e UNMIK-ut në Kosovë, i çojnë atje, nuk mendoj se është reflektimi i së vërtetës. Tensionet Kosovë-Serbi i ka krijuar lufta, dëmet e shkaktuara, dhimbjet e mëdha të këtij vendi edhe mos zgjidhja e marrëdhënieve, mos vendosja e një kontrate mes Kosovës dhe Serbisë për njohje”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se Kosova është e gatshme për dialog me Serbinë, por pa u prekur territori i Kosovës.

Haradinaj po ashtu ka shtuar a se vendosja e taksës 100% ndaj produkteve të Serbisë ka ndikuar edhe në rritjen e shitjeve të produkteve të ‘Vipa’ çips, si dhe ka rritur numrin e të punësuarve, ndërkohë që ka potencuar problemin me energjinë elektrike me të cilën përballet kjo fabrikë.

Haradinaj e ka vlerësuar të rëndësishëm faktin që kjo kompani ka të punësuar mbi 200 punëtorë, ndërsa produktet e VIPA-s i cilësoi si të besueshme për tregun. Kompania Pestova, në kuadër të së cilës prodhohen produktet ‘Vipa’ çips, funksionon që nga viti 1999.

Pas fushatës së Serbisë për mos anëtarësimin e Kosovës në Interpol, Kosova ka vendosur masën 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës më 21 nëntor, ndërsa më 28 dhjetor të vitit 2018, kjo taksë ka hyrë në fuqi edhe për brendet ndërkombëtare që importohen nga këto dy shtete. Kundër kësaj takse janë shprehur Bashkimi Evropian e po ashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Back to top button