Haradinaj nënshkruhet në Librin e Ngushëllimeve për ish- Presidentin Bush

Nesër është shpallur ditë zie në Kosovë për ish-  Presidentin Bush

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka nënshkruar në Librin e Ngushëllimeve në Ambasadën e SHBA-së për vdekjen e ish- Presidentit të Amerikës, George H. W. Bush.

Haradinaj ka pohuar se Bush nga populli i Kosovës, do të kujtohet për kontributin e tij në lirinë e Kosovës.

“Me respekt të madh për një lider, i cili përfaqësonte vlerat më të përsosura të popullit amerikan, sot kam nënshkruar në Librin e Ngushëllimeve, në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, me rastin e ndarjes nga jeta të Ish-Presidentit George H. W. Bush. Njëkohësisht, ua përcjella ngushëllimet e mia Qeverisë së ShBA-së, popullit amerikan dhe familjes Bush. Presidenti Bush Senior, do ta ketë gjithmonë një vend nderi në kujtesën e popullit tonë, si dritë shprese për liri dhe demokraci për Kosovën.”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ndërkohë, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shpallur ditën e mërkure (5 dhjetorin), ditë zie shtetërore, në shenjë respekti për figurën e Bushit.

George H. W.  Bush ka vdekur të premten në moshën 94 vjeç. Ai konsiderohet si mik i Kosovës, në vitin 1992 kishte qenë një ndër të parët, i cili kishte paralajmëruar Millosheviqin se nëse fillon konflikt të armatosur në Kosovë, Stetet e Bashkuara do të jenë të përgatitura ta përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe Serbi./21Media

Back to top button