Haradinaj ngushëllon familjen e policit të vrarë

“Izeti është shembull se si mbrohet jeta e qytetarëve”

Dy persona kanë humbur jetën, njëri polic i Kosovës Izet Demaj, e tjetri person që tentoi të kryente një grabitje. Ngjarja ka ndodhur pasditën e sotme në Istog.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se është i tronditur nga vrasja e pjesëtarit të Policisë së Kosovës në Istog dhe ish ushtar i luftës çlirimtare, Izet Demaj.

Haradinaj i ka shprehur ngushëllime familjes Demaj.

“Për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të marrur peng, gjatë plaçkitjes së një banke sot, pa menduar për veten e tij, fatkeqësisht ka humbur jetën. Izeti është shembull se si mbrohet jeta e qytetarëve. Ngushëllimet e mia më të thella për familjen Demaj dhe Policinë e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Edhe zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka ngushëlluar familjen e policit të vrarë.

“Pas një tentimi për plaçkitje në një bankë në Istog, ka mbetur i vdekur edhe një Polic i Kosovës. Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqëve dhe kolegëve të tij”, ka shkruar Pacolli./21Media

Vdes polici i plagosur në Istog

Back to top button