Haradinaj: Nuk ka rritje të çmimit të rrymës

Kryeministri në takim me menaxhmentin e KEK-ut

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se nuk do të ketë rritje të çmimit të rrymës, ndërsa ka paralajmëruar se nëse vonohet zhvendosja e banorëve të disa fshatrave të Obiliqit, atëherë do të bëhet një plan emergjent, duke u zotuar se gjendja nuk mund të vazhdojë në pakufi.

Ai këto komente i bëri pas takimit që pati me menaxhmentin e KEK-ut, ku është biseduar për procesin e zhvendosjes së banorëve të disa zonave rreth mihjes dhe gjendjes së furnizimit me energji elektrike.

Haradinaj tha se beson që proces i zhvendosjes së këtyre banorëve do të bëhet shumë shpejt, ndërsa shtoi se në rast të vonimit të zhvendosjes atëherë do të dalin me një plan emergjent.

“Zhvendosja duhet të ndodhë, për të filluar mihja edhe zona është e rrezikuar po ashtu dhe duhet aktivizuar blloqet pasi sa e dimë tash punohet me një në A dhe një në B dhe se shumica e furnizimit është e bazuar në import. Për sekuencë ka edhe rrymën e shtrenjtë dhe rrethanat tjera që mund të krijojnë problem. Mesa kuptova procesi është në fund, procesi i shpërnguljes ose i zhvendosjes së banorëve. Një kohë jemi treguar shumë gjeneroz, iu është gjetur edhe vend për strehim dhe t’iu marrë përsipër qiranë për gjashtë muaj, shujtë për shkak të zhvendosjes dhe ky është një gjest i mirë dhe besoj se do të kryhet këto ditë. Sido që të jetë, për shkak të rrezikimit të zonës, banorët janë të rrezikuar, nëse vonohet zhvendosja, atëherë do të bëjmë një plan emergjent dhe do të veprojmë sipas ligjit. Nuk do të vazhdojmë pa kufi gjendjen dhe kjo do të ndodhë”, tha Haradinaj.

Ndërkohë që ka pasur paralajmërime për shtrenjtimin e rrymës deri në 20 për qind, kreu i ekzekutivit tha se një gjë e tillë nuk do të ndodhë, duke shprehur besimin njëherësh se nuk do të ketë as reduktime me energji elektrike.

“Qëllimi i ardhjes sime këtu janë dy tema s’ka rritje të çmimit të rrymës dhe nuk ka ndërprerje. Nuk duhet të ketë rritje çmimi në këtë kohë, në dimër, por edhe ndërprerje të energjisë nuk duhet me pas. Unë nuk kam çare pa e bë këtë, u kam thënë kolegëve se nuk kemi çare pa garantuar qytetarët se do të ketë energji”, tha Haradinaj.

Ai po ashtu theksoi se beson që për festat e fundvitit do të ketë stabilitet në furnizimin me energji elektrike.

Ndërsa, Arben Gjukaj, drejtor i KEK-ut, tha se gjatë festave të fundvitit do të ketë shtim të prodhimit të energjisë elektrike, ndërkohë pritet edhe përfundimi i zhvendosjes së banorëve të fshatit Mirenë, për të filluar me procesin e mihjes së thëngjillit.

“Ne u pajtuam që në fund të ndërrimit të moteve që ne të aktivizojmë edhe 260 megavatë nga prodhimi vendor. Ne po presim që brenda dy ditëve të përfundojmë edhe procesin e mbylljes në Mirenë. Nesër kemi takim në ora 12.00. Ka lajme të mira dhe presim pas heqjes së asaj djerrine të fillojmë me kapacitet të plota”, tha Gjukaj.

Back to top button