Haradinaj pas takimit me Chollet: Shtrova nevojën urgjente për marrëveshje finale me Serbinë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se gjatë takimit me këshilltarin e Departamentit amerikan, Derek Chollet, i ka shtuar atij nevojën urgjente për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë.
Haradinaj ka thënë se kjo marrëveshje duhet të përmbajë njohjen e ndërsjellë mes dy shteteve.
“Në një takim përmbajtjesor me delegacionin nga Departmenti i Shtetit i kryesuar nga z. Derek Chollet, Këshilltar i lartë, z. Gabriel Escobar, Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Evroazisë, Spencer Boyer, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Mbrojtjes për Politikat Evropiane dhe NATO-n, dhe me Ambasadorin Amerikan në Kosovë, z. Jeffrey Hovenier, shtrova nevojën urgjente të arritjes së marrëveshjes finale për njohje të ndërsjellë me Serbinë, si hap i domosdosshëm për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.
Ai ka shtuar se ka shtruar edhe nevojën e integrimit të plotë të qytetarëve serbë në institucionet e Kosovës si dhe zbatimin e plotë të rendit dhe ligjit në çdo pjesë të vendit.
“Falënderova përfaqësuesit amerikanë për ndihmën e vazhdueshme të ShBA-ve në të gjitha fazat e lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës dhe kërkova mbështetjen e tyre edhe në këtë fazë të ndjeshme pa të cilën vështirë se do të mund të arrijmë një marrëveshje përfundimtare të paqes”, ka thënë Haradinaj./21Media

Back to top button