Haradinaj pas zgjedhjeve: Kosova do të dobësohet, do të fitojnë armiqtë e saj

Rezultati i zgjedhjeve të parakohshme të së dielës zgjidh ngërçin politik në vend. Kështu ka deklaruar Kryetari i Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Ramush Haradinaj, në një postim në Facebook.
Megjithatë sipas tij rezultati nuk i zgjidh “problemet dhe shqetësimet e qytetarëve”.
“Gjatë gjithë kësaj kohe të fushatës jemi përballur me shqetësime të shumta të qytetarëve që nga kolapsi energjetik, ngecjet në proceset integruese euro-atlantike, posaçërisht në Nato, rënia e investimeve kapitale në gjithë vendin e lënien përgjysmë të krejt projekteve të mëdha, shtrenjtimin enorm të jetesës e stagnimin e pagave e deri te largimi në masë i të rinjve nga Kosova. Rezultati i këtyre zgjedhjeve e zgjidh ngërçin institucional, por kam frikë se nuk i zgjidh problemet e shqetësimet e qytetarëve. Kosova do të dobësohet në planin e brendshëm e të jashtëm e do të fitojnë armiqtë e saj!” , ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ai ka shtuar e respektojnë rezultatin dhe do të reflektojnë për proceset e brendshme.
“Rezultati është ky që është dhe ne do ta respektojmë votën e qytetarit por dhe do të reflektojmë për proceset tona të brendshme. Për ne zgjedhjet do të përfundojnë këtë pranverë, me zgjedhjet brenda Aleancës në të gjitha nivelet dhe me ringritjen tonë. Nga zemra i falënderoj të gjithë votuesit, aktivistet e AAK-së dhe gjithë të tjerët nga çdo cilësi e përkatësi e posaçërisht kolegët nga Lista 129 me të cilët kemi garuar në një betejë aspak të lehtë e në kohë të papërshtatshme. Krah Teje Kosovë, pa asnjë kusht!” , ka shkruar Haradinaj.
Bazuar në rezultatet preeliminare, AAK-ja në zgjedhjet e parakohshme ka marrë 5.68 për qind të votave dhe doli e katërta. /21Media