Haradinaj për takimin me Kurtin: Isha në zyrën e tij, por ai nuk ishte aty!

Ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se sot i është përgjigjur kërkesës së Kryeministrit Kurti për takim, por sipas tij, në orën 09:00 Kurti nuk ka qenë në zyrën e tij.
Ai ka deklaruar se qëndrimi i tij për situatën në veri është i qartë dhe nuk ndryshon kurrë, “pavarësisht nëse vjen kryeministri në takim apo jo!”
I pari i AAK-së ka shtuar se koordinimi me aleatët tanë duhet të jetë i përhershëm.
“I jam përgjigjur kërkesës për takim me Kryeministrin në orën 9 dhe unë në këtë orë isha në zyrën e tij, por ai nuk ishte aty! Takimi do të duhej të ishte informativ për situatën e sigurisë në veri. Kosova duhet të mbrohet edhe me jetë. Gjithmonë me mbrojtësit e Kosovës! Unë kam qenë dhe jam në Kosovë dhe për Kosovën në çdo kohë dhe situatë.”, ka shkruar Haradinaj në facebook.
Ndryshe, kryeministri Albin Kurti për situatën në Veri sot ka biseduar me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun dhe atë të PDK-së, Memli Krasniqin.
Nga zyra e Kryeministrit është theksuar se në takimin e Kurtit me liderët opozitarë është biseduar për situatën dhe zhvillimet në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, si dhe është theksuar përkushtimi i institucioneve të Republikës së Kosovës në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi i ka kërkuar Kryeministrit Kurtit koordinim me partnerët ndërkombëtarë për menaxhimin e situatës në Veri.
Po ashtu, edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka theksuar se Kryeministrit Kurti i ka kërkuar koordinim të plotë me aleatët tanë, në veçanti me SHBA-të dhe BE-në./21Media

Back to top button