Haradinaj për zjarrëfikësit: Ky mekanizëm i sigurisë, do të ketë trajtim të veçantë

Kryeminsitri viziton zjarrëfikësit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në prag të ndërrimit të moteve, vizitoi zjarrfikësit e Kosovës, për t’iu shprehur atyre mirënjohje për punën e tyre.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, i shoqëruar edhe nga ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, tha se ka shkuar sot atje për  t’ua shprehur mirënjohjen e Qeverisë dhe gjithë Kosovës, për punën  e tyre, që janë roje për të gjitha ato shqetësime që mund t’i kenë qytetarët, si fatkeqësitë, zjarret, e probleme të natyrave tjera.

“Meqënëse jemi në ndërrim të moteve, e di që ju do të punoni sonte, por ju lus po ashtu që ta bëni maksimumin në këto kushte që i keni, që t’iu dilni zot qytetarëve kur ata kanë nevojë për prezencën e juaj”, shtoi kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj tha se ndihma e tyre nuk do të shkojë pa u vërejtur dhe se ato që janë biseduar në të kaluarën do t’i trajtojnë seriozisht.

Drejtori i Brigadës së Zjarrfikësve, Latif Zeka, e falënderoi kryeministrin Haradinaj për mbështetjen e Qeverisë ndaj tyre, duke u shprehur mirënjohës për angazhimin e kryeministrit Haradinaj.

Ndërkaq, Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka, tha se e falënderon kryeministrin Haradinaj për qasjen dhe përkrahjen që ia ka dhënë zjarrfikësve duke u shprehur të kënaqur për trajtimin që po ua bën kryeministri.

Kurse lidhur me këtë vizitë Haradinaj  shkori edhe në Facebook ku u zotua se zjarrëfikësit do të kenë trajtim të veçantë.

“Ndjenjë e mirë, sot kur në prag të ndërrimit të moteve, i vizitoj zjarrfikësit, të cilët çdoherë e në çdo kohë janë në shërbim të sigurisë sonë, me një zotim të përmbushur. Me vendimin e Qeverisë, zjarrfikësit tashmë i kanë marrë pagat me rritje për orët shtesë dhe në 2019 do të kenë koeficient të njëjtë në gjithë Kosovën. Kemi blerë pajisje të reja dhe në ligjin e ri për paga, ky mekanizëm i sigurisë, do të ketë pagë dhe trajtim të veçantë. Ne nuk do t’i shmangemi sfidave, por do të përballemi me to edhe në vitin që po vjen. Urime!”, shkroi Haradinaj në Facebook. /21Media

Back to top button