Haradinaj prezanton kandidatin e AAK-së për kryetar të Vushtrrisë

 

Aleancëa për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), sot ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë. Në këtë mbledhje u caktua kandidatura për kryetar të Komunës së Vushtrrisë.

Haradinaj njoftoi se Dega e Vushtrrisë, ka marrë vendim që kandidat i Aleancës për kryetar të kësaj komune të jetë Prof. Dr. Sc. Mensut Ademi.

“Aleanca ofron ndryshimin që e kërkojnë qytetarët! Sot në mbledhjen e Kryesisë së Aleancës diskutuam për zhvillimet politike dhe ekonomike në vend. Informova Kryesinë për takimin që kisha sot me Kryeministrin Kurti, kërkesat dhe shqetësimet që i kam paraqitur, përfshirë temat e dialogut dhe qëndrimit të qeverisë rreth Luftës Çlirimtare”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Në një postim në Facebook, Haradinaj ka shkruar për biografinë e Ademit.

“Profesor Mensuti është Doktor i Shkencave Penale dhe Kriminologjisë, ligjërues në disa universitete publike e private në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Evropë dhe Amerikë. Ai është themelues i Asociacionit të Kriminologëve të Kosovës (AKK), Kriminologëve të Ballkanit Perëndimor (WBC), e gjithashtu është anëtar i shoqatave të kriminologëve në Amerikë, Evropë e Azi. Ka punuar në implementimin e shumë projekteve nacionale dhe ndërkombëtare në fushën e kriminologjisë”, ka shkruar ai.

Ai ka njoftuar se Kryesia e AAK-së diskutoi edhe për nevojën e menjëhershme të sigurimit të vaksinave për grupet e rrezikuara, si dhe për heqjen e masave, duke nisur nga ndalim qarkullimi i qytetarëve e deri te hapja e plotë e të gjithë sektorëve të ekonomisë./21Media 

Back to top button