Haradinaj: Qeverisja Kurti po mashtron dhe varfëron qytetarët

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se gjatë vizitës së tij në Junik ka bashkëbiseduar me qytetarët rreth marrëveshjen për njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Haradinaj ka shtuar se ka diskutuar dhe rreth “mënyrës së dobët se si qeveria e ka menaxhuar këtë proces me rëndësi jetike për vendin”.
“Theksova shqetësimin tim për logjikën qeverisëse të Kurtit, që nuk përkon fare me kohën në të cilën po jetojmë, mashtrimin dhe varfërimin e vazhdueshëm të qytetarëve nga ana e tij, krizën e thellë ekonomike dhe energjetike. Për hirë të interesave nacionale, Aleanca do të ofrojë përkrahjen e saj për proceset pozitive që hapin dyert tona në NATO dhe na vendosin nën ombrellën e sigurisë dhe stabilitetit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Tutje, Haradinaj ka thënë se një dezertim i mundshëm në këtë situatë, “për arsye të ndryshme folklorike, do ta dëmtojë rëndë shtetin dhe kauzën tonë”./21Media