​Haradinaj reagon pas arrestimit të kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas arrestimit të kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili dyshohet për tri vepra penale.

Haradinaj, përmes një postimi të shkurtër në Facebook, ka thënë se ”kjo çfarë po ndodhë në KEK, është dëshmia më e mirë se lidhjet e shkurtëra janë korrupsioni më i keq!”.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se është arrestuar drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Krasniqi sipas Prokurorisë, është arrestuar për shkak të dyshimit se ka kryer “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” , “Ushtrim i ndikimit” dhe “Konflikt i interesit”.

“Po ashtu, Njësia e Veçantë e Hetimeve sot ka bastisur zyrën e të pandehurit N.K. në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura. Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre (3) kompjuter, një (1) llap-top, një (1) celular, një (1) USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Me aktvendim të prokurorit të shtetit i pandehuri është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh./21Media

Back to top button