Reagimi i Haradinajt

Reagimi i Haradinajt

Pas uljes së pagave, Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Albin Kurti votoi edhe për shkarkimin e koordinatorit nacional për ndryshime klimatike dhe çështje të ambientit, Mendim Rugova.

Krahas kësaj është vendosur të shpallet konkurs edhe për postin e drejtorit të Doganës, pavarësisht se Bahri Berishës nga ish-Qeveria Haradinaj iu kishte vazhduar mandati i drejtorit të këtij institucioni.

Vendimet e Qeverisë Kurti kanë zgjuar reagimin e ashpër të Ramush Haradinajt.

“Sot e pësuan dy profesionistë: Drejtori i Doganës Bahri Berisha, dhe Koordinatori për ndryshime klimatike dhe çështje të ambientit Mendim Rugova.

Për Mendim Rugovën le ta dinë të gjithë se nuk kishte këtë përgjegjësi vetëm pse është djali i presidentit historik Dr.Ibrahim Rugova, por edhe pse është profesionist i zoti”, shkruan Haradinaj në Facebook.

Ani pse mandati i Berishës do të përfundonte më 8 shkurt të këtij viti, më 24 janar ai mori mandatin e dytë, trevjeçar nga ish-kryeministri Haradinaj, por që nuk ishte respektuar Kodi Doganor i Kosovës.

Në mbledhjen e sotme ekzekutivi votoi edhe për shkarkimin e koordinatorit nacional për reforma Shtetërore, atij për kulturë, rini dhe sport, udhëheqësit të projektit për menaxhimin dhe kontrollin e qenve endacakë, koordinatorit nacional kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, koordinatorit nacional për integrim dhe anëtarësim në NATO.