Haradinaj: Sistemi i sigurisë duhet të forcohet

Haradinaj ka thënë se sistemi i sigurisë në vend është në proces të formimit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në hapjen e konsulencës pas Punëtorisë për Krijimin e Sistemit të Avancuar të Udhëtarëve. Me këtë rast, Haradinaj ka thënë se sistemi i sigurisë së vendit është në proces të formimit dhe se duhet të kujdesen që ky forcim të ndodhë.

“Kosova nuk bënë përjashtim pra sikurse edhe vendet tjera i kushtohet pra, i jep rëndësi sigurisë së udhëtimit, sigurisë së udhëtarëve dhe të dhënave. Sistemi jonë i sigurisë është në proces të formimit dhe ne duhet të kujdesemi që ky forcim pra të forcohet, të ndodh sa më shpejt duke përmirësuar përformancën e secilit institucion një nga një. Dhe duke përmirësuar sistemet tona të mbikëqyrjes edhe në pikat hyrëse kufitare. Pasi që të kemi përmirësim siguria merr kuptimin e plotë dhe siguron rezultate zingjirore, ku secila hallkë duhet të tregojë rezultate për qëllimin tonë të përbashkët. Ky efekt zingjiror i funksionimit përfshinë pra Policinë, doganat, inteligjencën dhe institucionet tjera për sundimin e ligjit. Policia e Kosovës gëzon besim të lartë nga qytetarët tanë, është një institucion kredibil nga ku edhe fillon e tërë përpjekja jonë për ta luftuar krimin.”, ka thënë ai.

Kryeministri rolin e doganave e ka cilësuar kyq, sidomos në pikat e ndjeshme ku mund të kërcënohet siguria. Për këtë ka thënë se bashkëpunimi në pika kufitare është i domosdoshëm.

“Agjencia Kosovare për Inteligjencë është forca bashkuese e agjencioneve për zbatim të ligjit, informatat janë më të rëndësishme. Me kërcënimet e fundit globale, Kosova nuk është imune, siguria jonë varet nga institucionet e zbatimit të ligjit. Metodat e fundit të grupeve të krimit të organizuar dhe terrorizmit janë edhe më të sofistikuara, andaj duhet ta përmirësojmë qasjen, sistemin dhe bashkëpunimin.”, ka thënë kryeministri.

Pas takimit, Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se aplikimi i sistemit API si masë efikase mbrojtëse, ka për qëllim parandalimin e krimeve.

“Metodave të sofistikuara të grupeve të krimit të organizuar dhe terrorizmit duhet t’u përgjigjemi me përmirësimin e qasjes dhe sistemit të të dhënave. Me qëllim të rritjes së performancës dhe mbikqyrjes në të gjitha hallkat e sigurisë, në bashkëorganizim me OSBE-në mbajtëm takimin për Krijimin e Sistemit të Avancuar të Udhëtarëve API. Grumbullimi dhe shfrytëzimi i të dhënave, si dhe shkëmbimi i shpejtë i informacionit të pasagjerëve ndërmjet mekanizmave të sigurisë, me qëllim të parandalimit të krimeve, kërkon aplikimin e sistemit API si masë efikase mbrojtëse.”, ka shkruar Haradinaj.

Back to top button